Shejh Mustafa Reka

13/06/2009 00:12

Shejh Mustafa Reka lindi me 19 nëntor 1883, në Dibër. Rrjedh prej një familje hoxhallarësh, intelektualësh, fetarë-atdhetarë. Babai, gjyshi, stërgjyshi, ishin hoxhallarë, mësuesë, vaiza, predikuesë…

Mësimet fillestare dhe ato të mesme i kreu në Dibër, ndërsa studimet në Stamboll, ku i mësoi edhe gjuhët klasike fetare, turqishten, arabishten, persishten.

Krahas studimeve, Mustafa Reka interesohej edhe për çështjën kombëtare, kështu ai ishte i lidhur ngushtë me shumë atdhetarë shqiptarë në mërgim, në veçanti me dibranët e tij, me të cilët kishte afërsi…

Në vitin 1922, në Tiranë, Mustafa Reka u gradue Shejh, Shejh i Tarikatit Rifai’, nga Shejh Ahmed Shkodra, Rifa’i.

Shejh Ahmed Shkodra (1881-1927) ishte një burrë, fetar e atdhetar, poet, shkrimtar, mësues, hoxhë, imam në xhami dhe më në fund: Shejh i tarikatit Rifa’i.

Lejen, vërtetimin apo ixhazetnamenë për të ushtrue veprimtarinë në tarikatin Rifa’i, Shejh Ahmed Shkodra e kishte marrë në Gjakovë, nga Haxhi Shejh Musaja, në vitin 1916…

Haxhi Shejh Musaja (1855-1917) ishte një burrë i ditur, i ndritur, kishte studiuar në Stamboll, prej atyhit nga Shejh Ibrahimit, i Teqesë së Rifai’ive të Stambollit, kishte marrë Hilafetnamenë dhe ishte dërguar misionar në Gjakovë, në vitin 1875, ku ishte pritur me dashamirësi…

Shejh Mustafa Reka ka shërbye edhe si sekretar i Shoqatës “Vëllazëria e Dervishëve Rifa’i”, dega në Shkodër.

Shejh Mustafa Reka ishte një personalitet i shquar, i dashur,

i kulturuar, ishte një personalitet i njohur, në Tiranë, në kryeqytet. Në Tiranë, në kryeqytet, kishte muhabet me personalitetet kryesore, me figurat fetare-kulturore-atdhetare, siç ishin, Hafiz Ismet Dibra, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Shejh Qazim Hoxha, Ismail Efendi Ndroqi etj.

Përveç detyrës fetare, Shejh Mustafa është marrë edhe me krijimtari, duke shkrue ilahi, poezi, në frymën morale-etike, islame-mistike. Ilahinë e parë e ka shkrue me 1923, ndërsa të fundit, në vitin 1964.

Në ilahinë e parë, shkrue me 1923, ndër të tjera, thotë:



“Kush qepet me All-llahun

S’e ka frikë aduv’vull’ahun”



Që do të thotë se ai që lidhet me Zotin, s’ka frikë nga armiqtë e Zotit.

Për shejhlerët, dervishët, që shkelin dispozitat ligjore të Fesë Islame, Sheri’atin, që manipulojnë, abuzojnë, mashtrojnë, që pijnë venë, raki, Shejh Mustafa, për qortim, për edukim, i kushton një ilahi, ku, ndër të tjera, shkruen:



“Për syt’e ballit ju bëj be

Dervishizma s’është kështu,

Vetëm n’daçin me e poshtnu…”



Disa prej vjershave të tij janë botuar edhe në shtypin e kohës. Poezia me titull “Njih Veten” është botuar në revistën “Njeriu” , Nr. 9, Mars, 1944, Tiranë, ndërsa poezia me titull “Njeriu dhe doktori” është botuar po në revistën “Njeriu”, në muajin, Maj, 1944, Tiranë.

Në poezinë “Muslimani ka detyrë” shkrue me 1939, Shejh Mustafa Reka, i porositë lexuesit, dëgjuesit, se parimet themelore të Islamit janë pesë: Fjala e Dëshmisë, Namazi, Agjërimi i muajit Ramazan, Zeqati dhe Haxhi….Kështu ai ka jetue, ka veprue me dervishët e tij, në Tarikatin Rifa’i…

Shejh Mustafa Reka ndrroi jetë në Tiranë, në moshën 87 vjeçare, me 19 nëntor 1970…



Mexhid YVEJSI, Gjakovë
 

Back

Search site

© 2009 All rights reserved.(Www.Nur-Islam.Net) - Allahu ju shperblefte per vizitat e juaja