Mulla Vejsel Guta (1905-1986)

25/06/2009 00:28

Mulla Vejsel Guta ishte hoxhë, mësues, predikues, pedagog, poet, shkrimtar, atdhetar, luftëtar…



“Ej ju shok t’besuem shqiptarë

Oj parija kosovare

Ej nenpunsa hem luftarë

Ej ylema dijetarë

N’ket tubim kush ka ardh

I vaft per ko na ka fal

Se kshtu Zoti asht razi

Mu mbledh vllaznit kry per kry

Kujtesat mi qit n’mejdan

Mu kujtu per ket Vatan…”



-Mulla Vejsel Guta



Mulla Vejsel Guta ishte hoxhë, mësues, predikues, poet shkrimtar, atdhetar, luftëtar…

Lindi në katundin Zaskoc, rrethi i Ferizajit, në vitin 1905. Mësimet e para i ndoqi në mejtepin e katundit, ku mësuesi i parë i tij ishte Mulla Shefki Pleshina, i cili ishte një mësues i nderuar, një atdhetar i shquar, një hoxhë shumë i repektuar…

Në vitin 1925 u regjistrue në Medresën e Mehmet Pashës në Prizren, e cila drejtohej nga Myderrizi i njohur, Nusret Efendi Galibi, ku u edukue fetarisht e kombëtarisht.

Mbas dymbëdhjetë vjet mësimi, studimi, në vitin 1937, Mulla Vejsel Guta diplomoi. Meqë ishte më i shquari prej të diplomuarëve të brezit të tij, drejtoria e Medresesë menjëherë e punësoi, i dhanë ditarin dhe Mulla Vejseli mësimit ia filloi…

Mulla Vejsel Guta e vazhdoi detyrën e mësuesit, sipas kërkesës së popullit, në katundin Vojnoc të Shtimjes, ku kishte shërbye si hoxhë, gjatë muajit të Ramazanit, qysh kur ishte nxënës.

Në Mejtepin e Vojnocit, që në vitin e parë u regjistruen mbi 100 nxënës, ndërsa më vonë numri i tyre erdhi duke u shtuar, Mulla Vejseli shërbeu me përkushtim, me devotshmëri, deri në vitin 1945, kur e mbyllën partizanët, shërbeu me faqe të bardhë, si në aspektin fetar, ashtu edhe atë kombëtar…

Gjatë Luftës së Dytë botërore, (1941-1945) Mulla Vejsel Guta ishte kundër pushtimit italiano-gjerman, nazi-fashist, aq më tepër ishte kundër pushtetit komunist.

Popullin, në veçanti rininë e frymëzoi që të luftoi, të luftoi për liri, siç e shpreh në këtë poezi:



“Se shehidi qi lufton

kush n’dynja

s’un e livdon,

Kur’ani si e kalzon:

Thot nuk banë

m’i than ka dekë

veç i thue

ka ndrue jetë…!”



Përveç detyrës së hoxhës, predikuesit, mësuesit…, në rrethana tejet të vështira, Mulla Vejsel Guta u muerr edhe me krijimtari, duke shkrue me qindra ilahi, poezi, i frymëzuar nga ndjenjat e zjarrta fetare e kombëtare.

Sipas hulumtuesit, studiuesit guximtar, Dr. Muhamet Pirraku, i cili thotë se:

“Sot kemi në duar rreth 315 vargje ilahija dhe 415 vargje fjalime (kaside), që do të thotë se kemi 726 vargje poetike të krijuesit illuminist Vejsel Xheladin Gutës…”

(“Dituria Islame”, Nr.24, Prill, 1991, faqe: 21, Prishtinë)

Mulla Vejsel Guta e kishte edhe një vlla, Adem Guta, edhe ky hoxhë, me Medrese të kryeme, atdhetar e luftëtar, por që u vra, u pushkatue nga komunistët në Mramorak të Kovinit, afër Beogradit, me 2 shkurt 1945.

Pas kësaj tragjedie, Mulla Vejseli u detyrue të linte Vojnovcin, Mejtepin, ku kishte mësue me mijëra nxënës e të shpërngulet për Turqi.

Në konsullatën e Turqisë në Shkup i thanë se:

“ Pej tashit je turk”dhe të zgjedhte një ”llagap turk”.

Mulla Vejseli tha me vete: “Estagfirullah”! dhe doli nga konsullata.

U vendos në katundin Hasan Beg, në rrethin e Shkupit, ku shërbeu si imam në Xhaminë e fshatit, ku e vazhdoi krijimtarinë deri sa ndrroi jetë në vitin 1986, në moshën 81 vjeçare, duke u përpjekur në vazhdimësi për çështjën kombëtare…!



Mexhid YVEJSI, Gjakovë
 

Back

Search site

© 2009 All rights reserved.(Www.Nur-Islam.Net) - Allahu ju shperblefte per vizitat e juaja