Haxhi Vehbi Dibra (1867-1937)

01/07/2009 23:57

Hoxha që punoi jo vetëm për Fe,

Hoxha që veproi edhe për Atdhe…



Haxhi Vehbi Dibra lindi në vitin 1867, në Dibër të Madhe, në një familje të nderueme, në familjen e Agollëve, të njohur për veprimtari fetare dhe atdhetare. Është djali i Ahmed Efendi Agollit, hoxhë i respektuem, Myfti i Dibrës së Madhe.

Mësimet fillestare dhe ato të mesme i kreu në Dibër, ndërsa studimet e larta në Stamboll, ku përveç studimeve fetare, merrej edhe me veprimtari atdhetare-kombëtare…

Pas diplomimit, menjëherë kthehet nga Stambolli në Dibër, ku u emërue Myfti, por vepronte edhe për Shqipni…

Cila është veprimtaria e tij për Shqipni?



Veprimtaria e tij për Shqipni



Në vitin 1908, mori pjesë në Kongresin e Manastirit…

Në vitin 1909, mori pjesë në Kongresin e Dibrës, madje u zgjodh kryetar i Kongresit…

Në vitin 1912, mori pjesë në Kuvendin e Vlorës, në Ditën e Flamurit, Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipnisë, me 28 Nëntor, ishte përfaqësues i Dibrës…

Në Qeverinë e Parë të Shqipnisë, Haxhi Vehbi Dibra zgjidhet Kryetar i Pleqësisë, zgjidhet edhe nënkryetar i Qeverisë …

Kur plaku i Vlorës, Ismail Qemali, për ndonjë arsye, mungonte, ishte Haxhi Vehbi Dibra që e zëvendësonte…

Në vitin 1913, Qeveria e Përkohshme e Shqipnisë e ngarkon Haxhi Vehbi Dibrën me detyrën e Myftiut të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman Shqiptar të mbarë Shqipnisë…

Në vitin 1916, nuk qe e rastit apo çështje e fatit kur ngarkohet me detyrën e Kryetarit të Gjyqit të Lartë të Sheriatit…

Në vitin 1923, Haxhi Vehbi Dibra u zgjodh Kryetar i Kongresit të Parë të Muslimanëve Shqiptarë….

Në vitin 1924, ishte Haxhi Vehbi, Hoxha Dibran, ai që e përuroi Medresenë e Lartë në Tiranë…

Përveç këtyre detyrave me shumë rëndësi, me shumë përgjegjësi, Haxhi Vehbi Dibra është marrë edhe me krijimtari.

Ka shkrue, ka botue shumë punime, studime, krijime e përkthime, që janë botue në shtypin e kohës, kryesisht në revistën “Zani i Naltë”, që botohej në Tiranë prej muajit tetor, 1923 deri në prill 1939…

Në vitin 1993, nën përkujdesjen e Imam Vehbi Ismailit, në Harper Woods, të Detroit-it, në shtetin Michigan, në SHBA, botohen të përmbledhuna shkrimet e Haxhi Vehbi Dibrës, nën titullin “Ç’urdhëron Kur’ani?”

Janë të shënuara, kanë mbetur të paharruara, fjalët e Haxhi Vehbi Dibrës në Kuvendin e Vlorës, në Ditën e Flamurit, në ditën e Shpalljës së Pavarësisë, me 28 Nëntor 1912, ku, ndër të tjera, tha:

“Kristiani e myslimani janë vëllazën shqiptarë të pandarë.”

Se kush ishte Haxhi Vehbi Dibra, në jetën e përkohshme tokësore, e përmbledhin shkurt, veprën e tij madhore, këto vargje popullore:



”N’atë Dibër, Dibër plakë

Na u rrit nji burr’i rrallë,

Që luftoi me bajrakë

Tuj i pri popullit në ballë



Në çdo Kuvend, në çdo Kongres

Zani i tij i fort kumboi

Në çdo vend e në çdo shtet

Për Shqipni u ngrit e shkoi.



Trim mbi trima Vehbi Agolli

Burrë i naltë, plot dituni

O lum Dibra që e lindi

Për flamurin kuq e zi.



Kur në popull mbante fjalë

Ai përher’i predikoi

Shqypen kemi nan’e babë

Çdo përçarje e mallkoi.



Nuk e trembi dot Sulltani

Kur me vdekje e dënoi

Nuk e trembi as Serb-Dushmani

Që aq her’ e kërkoi…!



Haxhi Vehbi Dibra u nda nga kjo jetë, kaloi në jetën e vërtetë, me 24 Mars 1937, në moshën 70 vjeçare, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë shqiptare…



Mexhid YVEJSI, Gjakovë

Back

Search site

© 2009 All rights reserved.(Www.Nur-Islam.Net) - Allahu ju shperblefte per vizitat e juaja