Hafiz Tahir Kolgjini (1903-1988)

12/07/2009 08:29

Hafiz Tahir Kolgjini ka qenë hoxhë, hafiz, por ka shërbye si mësues, shkrues publik, kryetar bashkie në Kukës e Prizren.

Ka qenë prefekt në disa qytete të Shqipnisë, prefekt në Prishtinë, Gjirokastër e Shkodër dhe më në fund Drejtor i Përgjithshëm i Policisë…

Ka qenë anti-komunist, atdhetar-nacionalist, por edhe krijues, letrar, poet, studiues, shkrimtar, historian, gjuhëtar…



Tahir Kolgjini lindi me 24 Prill 1903, në katundin Lusën të Lumës. Mësimet fillestare i kreu në vendlindje, ku mësuesi i i parë i tij ishte hoxha, Mulla Ademi, nga rrethi Shkupit.

Në vitin 1913 shkoi në Stamboll, ku vazhdoi mësimet në shkollën “Sulltan Mahmud”, ku krahas mësimeve e mësoi përmendësh Kur’anin e Madhnueshën dhe e fitoi titullin e nderuem: Hafiz. Po në Stamboll e kreu edhe Medresenë e Lartë, e cila quhej: Dar-ul Hilafet-ul Aliyye.

Në vitin 1924 kthehet në Shqipni, në Lusën, katundi i tij.

Në vitët 1925-1928 shërbeu si mësues e kryemësues në Bicaj, Lusën, Kolesian e Kukës. Në fund të vitit 1928 emërohet si sekretar i gjyqit në Himarë, ndërsa nga prilli i vitit 1929 emërohet si Sekretar i Gjyqit të Shkallës së Parë në Kukës…

Në vitët 1939-1944, Hafiz Tahir Kolgjini u emërue në detyra të larta, me shumë rëndësi, me shumë përgjegjësi. Në fillim emërohet Kryetar Bashkie në Kukës.

Me 15 Prill 1941, kur Jugosllavia e Kralit u shkatërrue e Kosova, kryesisht, me Shqipni u bashkue, por nën Italinë fashiste, hafiz Tahir Kolgjini e mori në dorëzim Bashkinë e Prizrenit, për të ndihmue, vendosjën e administratën në gjuhën shqipe…

Në nëntor të vitit 1941, pas bisedimeve që bëri me Bashkësinë Islame të Gjakovë e Prizrenit dhe në marrëveshje me Hafiz Abdullah Telakun, organizon Kongresin e Myslimanëve të Kosovës, për të cilin u çortue rëndë nga Komisari i Lartë në Tiranë, për Kosovë, Fejzi Alizoti, tek Kryeministri, Mustafa Kruja, i cili e ftoi në Tiranë…

Në Tiranë, pyetja e parë që i bëri kryeministri ishte:

“Ç’asht Kongresi i Klerit Mysliman në Prizren”?

Hafiz Tahir Kolgjini ia shpjegoi me këto fjalë:

“Po të mos e kishte fitue Sulltan Murati betejën e Kosovës dhe po të kishin qëndrue shqiptarët pa e pranue Islamizmin, me kohë do të ishin bamë serb, tue u sllavizue.”

Më këto fjalë, Kryeministri, Mustafa Kruja u bind dhe iu përgjegj: “Keni të drejtë.”

Gjatë vitëve 1942-1943 Hafiz Tahir Kolgjini ka shërbye si Kryetar Bashkie në Gjirokastër dhe në Prishtinë, ku shërbeu deri në shtator, 1943, kur erdhën gjermanët…

Kur erdhën gjermanët, Xhafer Deva, Ministër i Brendshëm,

e caktoi me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, të cilën e kreu deri në muajin gusht, 1944.

Në muajin gusht, 1944, caktohet Prefekt i Shkodrës, ku shërbeu deri me 24 nëntor 1944.

Me 24 gusht 1944, Hafiz Tahir Kolgjini, bashkë me Kapedanin e Mirditës, Gjon Marka Gjonin, largohen nga Shkodra, nga Shqipnija dhe nisen për në Vjenë, Austri…

Nga kryeqyteti i Austrisë, Vjena, shkon në Milano, mandej në Romë, kryeqytetin e Italisë dhe ma në fund, me shumë shqiptarë të tjerë anti-komunistë, vendoset në Reggio Emiglia, ku qëndron deri më 1948.

Në vitin 1948 shkon në Stamboll, aty ku ishte shkollue dhe aty ka jetue dhe veprue edhe 40 vjetë, derisa ndrroi jetë, me 12 dhjetor 1988.

Hafiz Tahir Kolgjini, ndër të gjithë shqiptarët që kishin emigruar, për shkak se me komunizmin nuk ishin pajtuar, ka qenë një nga burrat më të shquar, më të kulturuar, këte ai me veprimtarinë e tij e ka dëshmuar….

Përveç që ishte një anti-komunist i përbetuar, përveç që ishte një atdhetar-nacionalisht i dëshmuar, Tahir Kolgjini ishte edhe krijues, studiues, shkrimtar, poet, letrar, historian gjuhëtar…

Ka shkruar shumë artikuj, punime, studime në fusha të ndryshme, në gjuhë të ndryshme, me përmbajtje letrare, politike, kulturore e shkencore. Këto janë botuar nëpër gazeta e revista nëpër Evropë, Amerikë…

Janë botuar, me pseudonimin Lok Limthi, Dylej, Dashamiri, por edhe me emrin e tij, në revistën “Shejzat”të Rromës, që e drejtonte Prof. Ernest Koliqi, në revistën “Koha e Jonë”, Pariz, që e drejtonte Prof. Lec Shllaku, në gazetën “Dielli”, Boston, Mass. (SHBA), organ i Federatës Pan- Shqiptare “Vatra”, në gazetat “Vardari” e “Besa” të Stambollit etj.

Ndërsa, vepra e botuara të Hafiz Tahir Kolgjinit janë:

1.Shpalime rreth Lahutës së Malësisë, mbi 300 faqe, botue në Stamboll, 1969.

2.Esad Pashë Toptani dhe akuzat q’i bahen, botuar në Stamboll, me 1977.

3.Të vërtetat shqiptaro-greke, (Arnavutluk ve Yuninistan Gerçekleri), Stamboll, 1968. Kjo vepër është përkthye në gjuhën shqipe e ribotuar në Tiranë, me 1997, me një parathënie shkruar nga Dr.Hysamedin Feraj, nga Godeni i Gjakovës.

4.Fjalët turkisht në Lahutën e Malësisë, “Shejzat”, Romë, Itali, 1962

5.Luma dhe luftat e saj, Stamboll, 1970

6.Po vajtojmë Gjon Gjinin, Stamboll, 1979

7.Poezi, Tiranë, 1993 (është vepra ku janë të përbledhuna vjershat e tij nën kujdesin e Agim Spahiut).



Këto vepra, që i ka shkruar e botuar, pa dyshim, emrin e Hafiz Tahir Kolgjinit e kanë përjetësuar. Ai që i lexon, me siguri, këtë edhe më mirë do ta kupton…!

Për herë të parë Hafiz Tahirin e kam takur në New York, në vitin 1977, gjatë një Seminari, ku na afroi, na prezentoi e na bashkoi z.Ago Agaj, apo siç e quejshin “kosovari nga Vlora”…

Hafiz Tahiri, edhe pse ishte plakur, dukej fort i mbajtur, në pamje të jashtme zotni, në muhabet bënte edhe mahi, kishte një fjalor të pasun e të pastër si gurra, ishte burrë mbi burra…!



Mexhid YVEJSI, Gjakovë
 
 

Back

Search site

© 2009 All rights reserved.(Www.Nur-Islam.Net) - Allahu ju shperblefte per vizitat e juaja