DONALD S. ROCKWEL, poet, kritik letrar (SHBA)

08/10/2008 15:24

Rrezet e Dritës së Vërtetë, rrezet e Fesë Islame, po depër­toj­në në çdo skaj të botës, bile edhe në shte­tin më të zhvilluar, më të fuqishëm e më demokratik, siç e konsiderojnë veten Shte­tet e Bashkuara të Amerikës. Listës së gjatë iu shtua edhe një musliman amerikan me emrin Donald S. Rock­well, i cili është poet dhe kritik i njohur letrar në Amerikë.



Për ç’arsye e pranoi Fenë Islame ky i konvertuar amerikan, tre­gon deklarata e tij të cilën e botoi shty­pi amerikan, dhe ai i Lindjes së Mesme.



Muslimani i ri amerikan, Donald S. Rockwell, thotë:



“Janë di­sa arsye themelore që më tërhoqën ta pranoj Fenë Islame, por më kryesoret janë: thjesh­tësia, atmosfera e qetë që mbizotëron në­për xhami, besnikëria e besimtarëve muslimanë, frymëzimi i tyre dhe besimi që ata kanë në All-llahun, të Cilit i përgjigjen pesë herë në ditë, posa e dëgjojnë ftesën (ezanin) për lutje (namaz).



Kur vendosa të pranoja Islamin, zbulova arsye të thella që i vërtetojnë këto fenomene, ndërmjet të cilave është thjeshtësia e jetës së Pejgamberit Muhammed (a.s.), i cili këshillohej me bash­këpunë­torët e tij, ndezi dashurinë e mirësinë ndër bashkë­kohasit, i rregulloi të drejtat e grave etj.



Këto mësime e porosi, si dhe shumë të tjera, më bindën ta pra­noja Fenë Islame. Muhammedi (a.s.) erdhi me një fe e cila ësh­të sistem i përsosur për një jetë të natyrshme, e jo besimi i verbër...



Toleranca e Fesë Islame ndaj besimeve të tjera e bën për vete çdo kërkues e gjurmues të lirisë e të së vërtetës. Muham­me­di (a.s.) i urdhëronte besimtarët muslimanë, siç porosit Kur’­ani, që besimtarët hebrenj dhe të krishterë (Ehli Kitab), pra ata që i kanë Librat hyjnorë, të nderohen në besimet e ty­re! Kjo porosi dhe ky nderim ndaj mësimeve të Abrahamit (Ibra­himit), Mojsiut (Musaut), Krishtit (Isait), paqja e shpëtimi i Zotit qofshin mbi të gjithë ata si të Dërguar të Zotit, pa dyshim është një cilësi superiore në krahasim me religjionet e tjera.



Çlirimi e pastrimi absolut nga idhujtaria është një argument që shpreh fuqishëm pastërtinë dhe madhështinë e Fesë Islame. Mësimet e Muhammedit (a.s.) nuk udhëhiqen nga flaka e fana­tizmit, por nga drita e arsyes. Kur’ani, Libri i Shenjtë, qëndron i pa­ndryshuar që nga koha e Muhammedit (a.s.), kur iu zbulua, pa iu ndryshuar asnjë shkronjë, asnjë shpreh­je, asnjë fjalë! Kujdesi për shëndetin personal e sho­qëror si dhe pastërtia ishin disa prej porosive krye­sore të Pejgamberit të dashur...



Kur i vizitoja xhamitë në Stamboll, Damask, Jerusalem, Fes, Al­gjer dhe në qytete të tjera të ven­deve islame, më kaplonte një ndje­një e fuqishme për Fenë Islame, sepse thjeshtësia e tyre për­mbushte praninë Hyjnore më tepër se çdo rit, pikturë, skulp­turë ose muzikë që kanë tempujt e tjerë...



Unë gjithmonë jam magjepsur nga Demokracia Islame. I varfri dhe i pasuri janë në një rrafsh në obligimet fetare, në namaz, pa­ra Zotit, në xhami, ku i luten Atij, e adhurojnë, i nën-shtrohen vull­netit të Tij me përvuajtje, etj.



Muslimanët nuk e pranojnë ndërmjetësinë ndër­mjet njeriut si krijesë dhe Zotit si krijues, as rrëfimin ose të rrëfyerit.



Muslimanët Zotin e quajnë Krijues Fuqiplotë të Gjithësisë dhe Burim të Ekzistencës, pra nuk pranoj­në ndërmjetës nga pri­jësit fetarë ose të tjerë.



Vëllazërimi i besimtarëve, humaniteti, solidari­teti pa dallim ngjyre, race a gjinie, janë disa nga arsyet kryesore që më inku­rajuan në pranimin e Fesë Islame.
 

Back

Search site

© 2009 All rights reserved.(Www.Nur-Islam.Net) - Allahu ju shperblefte per vizitat e juaja