Shejh Qazim Hoxha (1883-1959)

16/07/2009 23:35

Shejh Qazim Hoxha ka qenë një figurë e shquar fetare-kombëtare, ka qenë mësues, hoxhë, profesor, pedagog, shejh, sufi, i tarikatit Tixhani, komentues, krijues…



Shejh Qazim Hoxha lindi në vitin 1883, në Shkodër. Rrjedh prej një familje intelektuale. Babai i tij ka qenë mjek i shquar, në Shkodër ishte shumë i nderuar, por ndrroi jetë i ri, kështuqë, Qazimi, djali i tij, u rritë tek dajët, me shumë kujdes, por edhe me vështirësi…

Mësimet fillestare i kreu në Parrucë të Shkodrës, kurse mësimet e mesme po në Shkodër, ku kreu Shkollën e Mesme Ushtarake. Me këtë shkollë ai kishte mundësi të bënte karierë, të bënte emër, por nuk ishin këto që i flenin në zemër…

Zemra e tij, qysh kur ishte fëmijë, ishte e lidhur me besim, në Zotin Një, me xhami…!

Në rini e kishte pasion leximin, studimin, meditimin, jo për

përfitime të përkohshme tokësore, por për ndriçime të përherëshme shpirtërore. Drita që po e kërkonte veç kishte fillue t’a ndriçonte, përmes një udhërrëfyesi sufi, përmes Shejh Shabanit – Tixhani, prej të cilit Shejh u gradue, u autorizue për të veprue…

Kush ishte Shejh Shabani – Tixhani?



Shaban Efendi Domnori (1868-1934) nga Shkodra, ishte hoxhë, mësues, studiues, predikues, shejh, sufi, haxhi, themeluesi i tarikatit Tixhani, në Shqipni…

Gjatë vizitës së katërt në Haxh, Shaban Efendi Damnori, kur ka shkue në Medinen e Ndritëshme, ku pushon më i dashtuni njeri, Muhammedit (a.s.), ka takue dijetarin sufi, Sejjid Abdul Kadir Minhanxhiun, Shejh i Tarikatit Tixhani, prej të cilit u frymëzue, tek i cili u dorëzue, u betue, prej të cilit Shejh u gradue…

Në vitin 1920, në lagjën ”Ndocej” në Shkodër, Shejh Shaban Damnori, me ndihmën e besnikëve të tij, e themeloi Teqenë e Tarikatit Tixhani, në të cilën e zhvilloi veprimtarinë shpirtërore sipas Kur’anit, Fjalës Hyjnore…

Teqeja e Tarikatit Tixhani në Shkodër, në udhëheqjen e Shejh Shaban Damnorit, ka pas shumë dashamirë, ndjekës, pasues, ndër të cilët vlenë të përmenden me nderim: Myderriz Haxhi Muhamed Bekteshi, Shejh Xhemal Alibali, Shefqet Muka, Hasan Tahsini, Myderriz Shejh Qazim Hoxha etj.

Shejh Qazim Hoxha në fillim shërbeu si mësues në Shkodër, ndërsa më vonë e caktuen imam në xhami, në Durrës.

Në vitin 1930 u pranue profesor në Medresenë e Përgjithshme në Tiranë, ku ishte pedagog i këtyre lëndëve: Filozofia Islame, Gjuha Arabe, Tefsir (Komentimi i Kur’anit).

Në vitin 1934, Shejh Qazim Hoxha në Tiranë e themeloi rrugën shpirtërore – tarikatin Tixhani, që filloi të përhapet nëpër Shqipni…

Përveç detyrave si mësues në Shkodër, imam në Durrës, pedagog në Medresenë e Tiranës, përveç shërbimit si Shejh i tarikatit Tixhani, Shejh Qazim Hoxha është marrë edhe me krijimtari.

Ka shkrue, ka përkthye, ka komentue dhe shumë prej atyre punimeve janë janë botue. Janë botue në shtypin e kohës, kryesisht, në revistën “Zani i Naltë” që botohej në Tiranë, prej vitit 1923-1939.

Në një punim, që në të vërtetë është një predikim, që e ka mbajtur gjatë muejit të bekuem Ramazan, me 1937, ndër të tjera thotë:

“Njeriu, ma tepër se vetveten s’don askënd në botë…Dashuria që ka njeriu për njerëzit e tjerë e për sendet e tjera është mjet e jo qëllim: qëllimi është një, dashuria e vetvetes, egoizmi.”

“Për njerëzit me të vërtetë të ditur nuk ka tjetër të dashur përveç Allahut. Përveç Perëndisë asgjë tjetër nuk është e denjë me u dashur.”

(Botue në revistën “Zani i Naltë”, Tiranë, Dhjetor, 1937.)

Kur komunistët erdhën në pushtet, ende pa u mbushur katër vjet, në vitin 1948, Shejh Qazimin, si një personalitet me shumë autoritet, e dëbuen nga Tirana, e cila sundohej nga tiranët …

Shejh Qazim Hoxha, sikurse shumica e shqiptarëve të ditur, të ndritur, besimtarë e atdhetarë, shumë ka hjekur, sepse ishte i përndjekur…

Ndrroi jetë-kaloi në jetën e vërtetë në Shkodër, me 24 prill 1959, në moshën 76 vjeçare, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë shqiptare…



Mexhid YVEJSI, Gjakovë
 

Back

Search site

© 2009 All rights reserved.(Www.Nur-Islam.Net) - Allahu ju shperblefte per vizitat e juaja