Shejh i melamive princ i bejtexhijve , SHKRUAN, MEXHID YVEJSI, GJAKOVË

08/12/2008 17:54

 Në përkujtim:

Në përvjetorin e 80-të – në jetën e vërtetë.

SHEJH I MELAMIVE – 

PRINC I BEJTEXHIVE



Shejh Mala

(1865-1928)



Viti 2008 ishte viti i përkujtimeve, viti i shënimeve...U përkujtuan, u shënuan ngjarje të rëndësishme, personalitete të ndritëshme…

U përkujtue, u shënue 130 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, (1878-1881), për shqiptarët vit’ i zgjimit, vit’ i vetëdijesimit…

U përkujtue, u shënue 100 vjetori i Kongresit të Manastirit, (1908), ku qe vendosur, përcaktuar, ABC-ja apo alfabeti i gjuhës shqipe, kur ende ishte Turqia, kur kishte shqiptarë, por s’ishte Shqipnia…

U përkujtue, u shënue, 100 vjetori i lindjes së prof. Eqrem Qabejt, (1908-1980) albanologut, gjuhëtarit, dijetarit të shquar, i cili një jetë të tërë gjuhës shqipe ia kishte përkushtuar…

U përkujtue, u shënue 100 vjetori i lindjes së diktatorit Enver Hoxha, (1908-1985), të cilin disa e madhëruan, kurse disa e mallëkuan…

Sot po e përkujtojmë, po e shënojmë, Shejh Malën, (1865-1928) në përvjetorin e 80-të, që kaloi në jetën e vërtetë.


Kush ishte Shejh Mala?
Shejh Mala ishte një veprimtar i shquar, një veprimtar i dalluar, për Fe e Atdhe…Ishte dijetar, fetar, atdhetar; ishte poet, përkthyes, shkrimtar. Ishte hoxhë, myfti, shejh i tarikatit melami… Emri i tij i plotë është: Abdyl Malik Hilmi Hoxha, por në popull njihet me një emër të shkurtër, përkdhelës: Sheh Mala.

Shejh Mala, djali i Fejzullah Hoxhës, lindi në Rahavec me 1865, ku i kreu mësimet fillestare. Mësimet e larta i filloi dhe i përfundoi në Prizren, në Medresenë e njohur “Mehmed Pasha”, pranë myderrizit të respektuar Aziz Fendiut.

Shejh Mala u ndriçue me dritën e sufizmit nga myderriz, Shejh Rexheb Hulusiu, i cili i dha porosi që ta themelojë Teqen Melami…

Në vitin 1887, kur ishte 22 vjeç, Shejh Mala e themeloi në Rahavec ”Teqen e Melamive”, një teqe e vogël, por me një zemët të madhe, e cila ishte jo vetëm teqe, por edhe xhami, ishte edhe mësojtore, strehimore, vend tubimi, adhurimi, përkujtimi, frymëzimi; vend pastrimi, pendimi, edukimi, pajtimi, lartësimi…


Kush janë Melamitë ?
Melamitë janë sufijë, vëllezëri islame, një prej rrugëve, drejtimeve, apo tarikateve, që merren me dimensionin shpirtërorë të Islamit…
Termi melami është i hershëm, madje më i hershëm se edhe vetë termi sufi…Në në këtë rast nuk do të merremi me hollësi, por do t’i përshkruej kalimthi…

Historianët i përmendin tri periudha të këtij tarikati…

Periudha e parë lidhet me emrin e dijetarit Ebu Salih Hamdun b. Ammar el-Kassar, nga Nishapuri, Persi. Pasuesit e tij quheshin: Kassari – Melami…

Periudha e dytë fillon nga Anadolli, lidhet me emrin e dijetarit Haxhi Bajram Veli. Ndjekësit e tij njihen me emrin: Bajrami- Melami…

Periudha e tretë lidhet me emrin e dijetarit nga Egjypti, Sejjid Muhammed Nur el-Arabi (1813-1887), i cili e përhapi në Ballkan…Ndjekësit e tij quhen Nuri Melami apo Melami…

Tarikat Melami u përhapë edhe nëpër trojet shqiptare, në veçanti në Kosovë, ku u themeluan disa teqe, në të cilat shërbyen shejhlerë të ditur, të arsimuar, të edukuar, atdhetarë e shkrimtarë…

Vlen të përmenden me respekt: Hafiz Sylejman Baba nga Gjakova, Myderriz, Shejh Rexheb Hulusiu nga Prizreni, Myderriz, haxhi, Shejh Ymer Lutfi Paçarrizi nga Prizreni, Shejh Jonuzi nga Suhadolli i Mitrovicës, Hoxhë, Shejh Sylejman Efendi Kollari nga Rahoveci etj…

Termi melami ka disa kuptime, por dy më kryesoret janë: Pastërti dhe vetëkritik apo autokritik…

Për melamitë, Shejh Mala në vargje thotë:


”Neve na thonë melami



Pluhnin zemrës kemi fshi…”


Princ i Bejtexhive

Shejh Mala në Rahovec ishte Shejh i Melamive, por Shejh Mala në Kosovë është ”Princ i Bejtexhive”…

Letërsia e bejtexhive, duan apo s’duan disa sot, është pjesë e krijimtarisë, e kulturës dhe e letërsisë shqipe.

Bejtexhijtë jo vetëm që nuk mund të asgjësohen, të përjashtohen, nga trashëgimia e jonë kulturore, por ata duhet të studiohen, të përkujtohen…

Poeti i madh i kombit, Naim H. Frashëri, (1846-1900) i cilësonte bejtexhijtë si ”Mbretër të vjershërimit”… Ata që i përbuzin këta ”Mbretër të vjershërimit” le të turpërohen përpara Naimit…!


Si dhe kur filloi letërsia e bejtexhive tek shqiptarët?


Mes shekullit XVI-XVII, kur u krye procesi i islamizimit të shumicës së popullsisë shqiptare, me themelimin e institucioneve arsimore-kulturore, siç janë mejtepet, medresetë, xhamitë, teqetë…, me krijimin e një inteligjencie shqiptare islame, filluan të shfaqen bejtexhinjtë shqiptarë, në veçanti në qytetet kryesore: Shkodër, Berat, Elbasan, Tetovë, Gjakovë, Vushtri, Prizren, Rahovec etj….

Në Rahovec shfaqet Shejh Mala (1865-1928), një krijues në kohëra tejet të vështira, por duke na dhuruar lulet më të mira…

Ka shkruar mbi 15 trajtesa (Risale), disa prej të cilave janë:

”Lulishtja e Hilmisë qoftë makbuli i Perëndisë”

”Sofra e hazreti Alisë”

”Minderllëku i nuseve të hakkikatit”

”Dashni për të dashnin”

”Lutnja e zemrës”

”Loçka e zemrës” etj.


Të gjitha trajtesat (Risalet) e Shejh Malës kanë përmbajtje mistike-filozofike, të gjitha trajtesat kanë për synim: Udhëzimin, përndritjen apo ndriçimin…

Shejh Mala – Melami, ka edhe ”Divanin” e tij, në të cilin janë të përmbledhura rreth 100 poezi…Për këto poezi janë interesuar disa studiues, shkrimtarë, të huaj e shqiptarë, si Robert Elsie, Dr. Idriz Ajeti, Dr. Mark Krasniqi, Dr. Muhamet Pirraku, Mr. Hajdar Salihu, Idriz Vuçitërna etj.
Të gjitha poezitë e Shejh Malës, disa prej tyre këndohen edhe si Ilahi, kanë përmbajte, kanë porosi… Burim frymëzimi janë mësimet kur’anore, tradita profetike dhe fryma mistike…

Brehti, në një poezi të shkruar në kohën e shkallëzimit të fashizmit në Evropë, në veçanti në Gjermani e Itali, thoshte se do të vijë një kohë kur njerëzit nuk do të thonë: ”Ishin kohë të errëta”, por do të pyesin: ”Përse kanë heshtur poetët e tyre?”

Në tetor të vitit 1912, kur Sërbija e pushtoi Kosovën dhe trojet tjera shqiptare, Shejh Mala, poeti fetar dhe atdhetar, nuk heshti, por tha:

”Dert nuk kemi mjerët na

Terr në zemër na ka ra

Dro prej Zotit kurkush s’ka

Erdh kolera Serbija…


Në bibliotekën e Kapuçinëve është ky mbishkrim:

”Këtu flasin memecët dhe jetojnë të vdekurit”

Këtu, në Kosovë, flasin memecët, sikur në bibliotekën e Kapuçinëve dhe jetojnë të vdekurit, ndër të tjerë , flet ende dhe jeton edhe Shejh Mala…!



(Autori është studiues i religjioneve)

Back

Search site

© 2009 All rights reserved.(Www.Nur-Islam.Net) - Allahu ju shperblefte per vizitat e juaja