Sami Halid Frashëri (1850-1904)

08/06/2009 07:39

NË SHËRBIM TË ÇËSHTJES ISLAME



Të gjithë keni dëgjuar për Sami Frashërin (1850-1904) si shkrimtar e atdhetar, të gjithë keni mësuar se Sami Frashëri ishte një shërbëtor i madh i çështjes kombëtare. Kjo është e vërtetë!

Por që Sami Frashëri ishte një shërbëtor i madh i çështjes Islame pak kush prej jush ka dëgjuar, e aq më pak ka mësuar. Mjerisht, edhe kjo është e vërtetë!

Shkrimtari Zija Xholi thotë se Samiu në gjithë studimin për kulturën arabe nuk e përmend fare Islamin dhe Kur’anin, provë kjo që flet për drejtimin e mendimit të Samiut si antifetar, antiklerikal. Kjo është një rrenë e madhe! Sami Frashëri ishte një besimtar i madh, një musliman i sinqertë. Dëshmitarë më i sigurtë është vepra e Samiut në shërbim të çështjes Islame. Sa për antiklerikal edhe kjo s’është e vërtetë sepse në Fenë Islame nuk ka kler...

Edhe shkrimtari Zymber-Hasan Bakiu (Kruja) thotë se Samiu hedh poshtë besimin fetar. Kështu shkruan edhe shkrimtari Selaudin Çarçani e disa shkrimtar të tjerë, që janë marrë me krijimtarinë e Sami Frashërit. Të gjithë këta shkrimtarë u morën me përalla marksiste-leniniste, që u doli boja, por u mbeti turpi. Zoti i faltë!

Sami Frashëri jetoi pak në këtë botë, 54 vjet, por punoi shumë: 34 vjet u mor me krijimtari si publicist, shkrimtar e përkthyes, dhe botoi 56 vepra në disa gjuhë.

Samiu ishte romancier e dramaturg, gjuhëtar i madh e filozof, politikan largpamës, ideolog kryesor i Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe shërbëtor i madh i çështjes Islame.

Vepra më e rëndësishme e Samiut është: Kamus-al-alam, e botuar më 1889. Kjo kryevepër ka 4.840 faqe dhe është fjalor enciklopedik historiko-gjeografik, në gjashtë vëllime. Në këtë fjalor enciklopedik shkruhet për të gjitha vendbanimet shqiptare në të gjitha vilajetet. Për vendlindjen tonë të dashur, Gjakovën, në origjinal Jakova, shkruhet në vëllimin e VI-të, në faqen 4.787, si vijon:

“Gjakova është një kasaba dhe qendër e kazasë që shtrihet buzë lumit Erenik, i cili derdhet në Dri të Bardhë. Bën pjesë në Vilajetin e Kosovës. Shtrihet 35 km. në juglindje të Pejës dhe në veriperëndim të Prizrenit, por i takon sanxhakut të Pejës. Në Gjakovë ka 16 xhamia, dy medrese, një ruzhdie, dhe disa mektebe, një bibliotekë, kishë dhe mekteb të veçantë për katolikë e orthodoksë. Ka afro 1.000 dyqane, ka bujtina e banjo publike. Popullsia e Gjakovës është e njohur përkah ruajtja e traditave dhe kanë prirje për tregti e zejtari. Qepin kostume të bukura, dredhin gajtan, prodhojnë këpucë etj. Kazaja e Gjakovës përfshinë 149 fshatra, supozohet se ka 25.000 banorë. Është popull guximtar dhe i aftë për armë. Nga gjiu i këtij qyteti ka pasur gjithmonë dijetarë të dëgjuar e myderrizë...”





SAMIU NË SHËRBIM TË ISLAMIT





Sipas Samiut, thelbi i qytetërimit është dituria. Ky mendim i Samiut bazohet në Kur’an, në librin e shenjtë të myslimanëve.

Për kulturën greke, ku bazohet kultura evropiane, Samiu thotë se kishte karakter spekulativ dhe se grekët kishin më shumë fjalë se punë. Ky mendim është i saktë!

Për kulturën arabe-islamike kishte simpati të veçantë dhe e nxjerr në shesh vlerën e saj dhe dëshmon për kontributin që i ka dhënë kulturës botërore. Samiu bëri zgjedhjen e poezive të Imam Aliut (r.a.) dhe i përktheu në gjuhën turke. Imam Aliu ishte dhëndri i Muhammedit (a.s.), halif i katërt i shtetit islam dhe luftëtari më i madh për Fenë Islame...

Samiu më 1879, në Stamboll, botoi veprën Medenijeti Islamije ose shqip “Qytetërimi Islam”, që është një vepër shumë e rëndësishme për kulturën islame.

Ka përkthyer Kur’anin në turqisht, por nuk ka të dhëna për botimin e tij.

Samiu, më 1885, botoi traktatin Himmet-ul-hi-man fi neshr-il -Islam (Përpjekja e heronjve në përhapjen e Islamit). Këtë vepër e fillon me këto fjalë: Në emër të All-llahut, të Gjithëmëshirmshit, Mëshirëplotit!

Falëndërimet janë vetëm për Zotin, që ka thënë:

“Te Zoti fe (e vërtetë dhe e pranuar) është vetëm Islamizmi. (Kur’ani, sureja 3, ajeti 19), përshëndetja e shpëtimi qofshin mbi zotëriun tonë Muhammedin, njeriun më të mirë, mbi familjen dhe shokët e tij të spikatur dhe mbi ata që i udhëhoqën myslimanët pas tyre, të cilët fenë e Zotit e sollën në viset e botës dhe i përhapën dritat e saja, e kështu u largua errësira e mosbesimit nga popujt...”.

Këtë vepër Samiu e përfundon me këto fjalë e me këtë lutje: “Muslimanët në botë janë rreth 200 milionë, Zoti i rrittë e i shtoftë ata”.

Zoti këtë lutje ia pranoi Samiut! Sot në botë ka mbi 1 miliard myslimanë...

Ky ishte Samiu ynë i madh, ky ishte edhe shërbimi i tij i madh që i bëri çështjes Islame.

Për shpirtin e tij të ndritur një Fatiha!

Zoti na drejtoftë gjurmëve të tij. Amin!



Mexhid YVEJSI, Gjakovë
 

Back

Search site

© 2009 All rights reserved.(Www.Nur-Islam.Net) - Allahu ju shperblefte per vizitat e juaja