Rreth kongresit të Manastirit , SHRKUAN: MEXHID YVEJSI, GJAKOVË

06/12/2008 12:34

Rreth ”Kongresit të Manastirit”,

Profesori Jahja - asgjë nuk tha…
(Reagim rreth shkrimit: “Kontributi i klerit katolik në Kongresin e Manastirit”, të prof.dr. Jahja Drançolli, botuar në gazetën ”Koha Ditore”, Koha për kulturë, e shtunë, 8 nëntor 2008.)
”Të gjithë shpirtrat e fortë janë të afërt me njëri-tjetrin”.

(Shiler, Pikolomoni)

Shkrimet e historianit me prejardhje nga Peja, prof.dr. Jahja Drançolli, gjithmonë i lexoj me vëmendje, me kënaqësi, por shkrimi i fundit i tij më zhgënjeu në tërësi… Pse?

Sepse, në dy faqe të gazetës më të lexuar në Kosovë, “Koha Ditore”, Koha për kulturë, ditën e shtunë, 8 nëntor 2008, faqe: 38-39, u botue shkrimi me titull:

“Kontributi i klerit katolik në Kongresin e Manastirit”

Në këtë shkrim për Kongresin e Manastirit, me rastin e 100 vjetorit (1908 – 2008) profesori Jahja – asgjë nuk tha…!

Për hirë të së vërtetës, në dy faqe të gazetës, për Kongresin e Manastirit ishte vetëm një fjali…

Pra, për një ngjarje me kaq rëndësi, siç është Kongresi i Manastirit, profesori i nderuar, Jahja Drançolli, e përfundon shkrimin e tij vetëm me një fjali…
Me një fjali, e cila sjellë shqetësime – sepse është me gabime…
Me gabime janë shënuar edhe disa emra në fotografi, që ka mundësi të mos jetë gabim i tij…!?

Por, gabimi kryesor i tij është është se profesori hedh dritë vetëm në një anë dhe njëra anë të vërtetën nuk e përmbanë…
Të vërtetën mund ta krahasosh me diamantin, siç thoshte Gëte, diamanti nuk hedh dritë në një anë, por në shumë anë.

E vërteta rreth ”Kongresit të Manastirit”

Është e vërtetë se kleri katolik ka dhënë kontribut të madhë, por ky kontribut, i cili nuk mohot kurrsesi, është një pjesë e së vërtetës…

E vërteta e plotësuar është kur nuk mohohet, kur nuk injorohet, por edhe kur shënohet edhe kontributi i shqiptarëve ortodoksë, protestantë dhe në veçanti i shqiptarëve muslimanë ….

Atdhetarët shqiptar, prej të gjitha besimeve, mesveti patën fërkime, kundërshtime, por edhe bashkëpunime rreth alfabetit, sepse, pothuajse çdo shqiptar kishte një alfabet të vetin…Kur e kuptuan se janë të rrezikuar, atëherë filluan për të bashkëpunuar…


Fillimi i një bashkëpunimi


Gjithçka ka filluar në “Stambollin e mallëkuar”…Këtu u themelue “Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip” (1879). “Komiteti i Stambollit me 6 mars 1879 miratoi Alfabetin (Abeceja) e hartuar nga vëllezërit Frashëri, nën kryesin e Samiut, të cilin e përkrahën edhe Hoxha Tahsini, Koto Hoxhi e atdhetarë të tjerë…

Më vonë në Shkodër, nga klerikë katolik, françeskanë, u themelua Shoqëria “Bashkimi” (1899, kurse me 1901 u themelue Shoqëria “Agimi” nga klerikë katolik, jezuitë, që të dy shoqëritë kishin hartuar nga një alfabet të veçantë…

Nga këto tri alfabete kryesore, me baza latine, botoheshin gazeta, broshura, libra të ndryshëm. Por, Abeceja apo Alfabeti i Stambollit, themeluar nga vëllezërit Frashëri, ishte më i përhapuri ndër shqiptarë, si në mërgim, njashtu edhe në trojet shqiptare…
Konsujt e Austrisë, në raportet e tyre dërguar Vjenës, lajmëronin se në vitin 1905, Alfabeti i Stambollit përdoret në të gjithë Shqipërinë e Jugut, duke përfshirë myslimanë dhe orthodoksë, deri në Dibër e Prizren… 


" Kongresi i Manastirit”


Me 27 gusht 1908, me nisjativën e Klubit Shqiptar “Bashkimi” në Manastir, i cili kryesohej nga Fehmi Bej Zavalani, por me kërkesën e Mid’had Frashërit, u vendos të thirrej një Kongres për Alfabetin e gjuhës shqipe, i cili do të zhvillonte punimet me 14 nëntor 1908.

Me 14 nëntor 2008, ishte ditë me borë, në Manastir filloi punimet Kongresi i Manastirit apo Kongresi i Alfabetit…

Punimet e këtij kongresi zgjatën tetë ditë, u ndoqën nga 50 përfaqësues të 26 qyteteve, klubeve dhe shoqatave, prej të cilëve vetëm 32 përfaqësues kishin të drejtë vote.

Kryetar i Kongresit të Manastirit u zgjodh Mid’had Frashëri, edhepse nuk ishte i pranishëm aty, sepse ende nuk kishte arritur në Manastir, kur filluan punimet me 14 nëntor 1908. Pse u zgjodhë Mid’had Frashëri?

U zgjodh jo pse ishte ishte biri i Abdyl Frashërit, nip i Naimit, Samiut, Mehmetit, Tosumit, Kasemit, por pse ishte një emër i nderuar, një atdhetar, publicist, shkrimtar i dëshmuar, mbi të gjitha, sepse ishte ideator i këtij Kongresit, atëherë ky atdhetar ishte 28 vjeçar dhe përfaqësonte Alfabetin e Stambollit…



Në dy ditët e para të Kongresit të Manastirit, që i priu nënkryetari, Gjergj Qiriazi, protestant, deri sa erdhi kryetari, Mid’had Frashëri, u diskutue se cilin prej tre alfabeteve duhet të përcaktohet për gjuhën shqipe: Alfabeti i Stambollit, më i përhapuri, apo alfabetet e shoqërive “Agimi” që e përfaqësonte Dom Ndre Mjeda apo të shoqërisë “Bashkimi” që e përfaqësonte At Gjergj Fishta, të dy shoqëritë nga Shkodra, të dy klerikë katolik, por njeri i përkiste urdhërit (rendit) Jezuit, tjetri rendit apo urdhërit Françeskan, por që kishin fërkime e kundërshtime…



Në ditën e tretë të punimeve, meqë fërkimet, kundërshtimet arritën kulmin, u zgjodhë Komisioni i Alfabetit prej 11 vetësh, të cilin e kryesoi At gjergj Fishta, i cili e përfaqësonte Alfabetin e “Bashkimit”….


”Komisioni i Alfabetit”

”Kongresi i Manastirit” i dha fuqi të plotë ”Komisionit të Alfabetit” për të vendosur për çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe…

Anëtarët e Komisionit të Alfabetit, pas tri ditë diskutimesh, sikurse thuhej në vendimin e Kongresit të Manasirit:

”Të shtyrë edhe nga disa shkaqe të përjashtme e pranuem “Alfabetin e Stambollit, e bashkë edhe një abece thjeshtë latine, që të mësoheshin bashkarisht në mes të shqiptarëve…”



Kush ishin anëtarët e Komisionit të Alfabetit?

1. Kryetar: At Gjergj Fishta
2. Mid’had Frashëri, jo Mehdi Frashëri
3. Luigj Gurakuqi
4. Gjergj Qiriazi, protestant
5. Dom Ndre Mjeda
6. Grigor Cilka, protestant
7. Taqi Buda
8. Shahin Kolonja
9. Sotir Peci
10. Bajo Topulli
11. Nysret Vrioni, jo Nuzihet Vrioni
12. Fineas Kenedi, protestante, vëzhguese amerikane.


Pra, ky ishte Komisioni i Alfabetit prej 11 anëtarësh dhe një vëzhguese amerikane. Në bazë të emrave dallohen anëtarët myslimanë, orthodoksë dhe katolikë, i shënuam vetëm anëtarët e besimit protestantë, sepse vazhdimisht injorohet besimi i tyre…

A ka rëndësi kjo? A ka rëndësi besimi? Po . Pse?

Sepse, besimi ka qenë tema kryesore gjatë gjithë historisë botërore…
Kurse, prof.dr. Jahja Drançolli me një fjali i injoron në tërësi…!

Është një psalm në Bibël, ku shkruan:

”Urrejtja sjell grindjen, kurse dashuria i kapërcen të gjitha”

Shqiptarët e ”Kongresit të Manastirit”, para 100 vjetësh,

i kapërcyen të gjitha me dashuri…

Dashuria dhe besimi janë themeli ku lartësohet njeriu, njerëzimi…


( Autori është studiues i religjioneve)

Back

Search site

© 2009 All rights reserved.(Www.Nur-Islam.Net) - Allahu ju shperblefte per vizitat e juaja