Një jetë për fe dhe atdhe, SHKRUAN: MEXHID YVEJSI, GJAKOVë

10/12/2008 16:04

Mexhid YVEJSI, (Gjakovë)
Përkujtim:

Në përvjetorin e 30-të – në jetën e vërtetë

NJË JETË PËR FE DHE ATDHE
SALIH EFENDI MYFTIA

(1891-1978)



SHEMBULL I BESIMTARIT, DIJETARIT DHE ATDHETARIT…

ISH MYFTIU I SHKODRËS DHE I PREFEKTURËS SË KOSOVËS,

LUFTËTAR KUNDËR NAZI-FASHIZMIT DHE KOMUNIZMIT…

THEMELUES I QENDRËS ISLAME SHQIPTARE-AMERIKANE,

PËR SHTETET NEW YORK DHE NEW JERSEY , NË SH.B.A.,

UDHËHEQËSI SHPIRTËROR I MUSLIMANËVE SHQIPTARË

NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS…



”Ai ia dhuron urtësinë atij që do, e kujt i është dhënë urtësia, atij pra i është dhuruar mirësi e madhe, e përveç të mençurve këtë nuk e kupton kush.”
(Kur’an, 2:269)



Me 19 Maj, 2008, u mbushën 30-të vite që ndrroi jetë, në moshën 87 vjeçare, në gyrbet, në mërgim, në New York, Sh.B.A., Salih Efendi Myftia.

Kush ishte Salih Efendi Myftia?

Salih Efendi Myftia ishte një nga personalitetet më të njohura të botës shqiptare në atdhe dhe në mërgim…Një jetë të tërë, ky burrë i dheut, i shërbeu me përkushtim fesë dhe atdheut…

Lindi në vitin 1891 në Shkodër, një nga qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë, djep i kulturës, ekonomisë, qytet i shquar për ndjenjat fetare dhe kombëtare…

Salih Efendi Myftia rrjedh prej një familje shumë të njohur besimtarësh, dijetarësh, atdhetarësh, që brez mbas brezi u përpoqën që ta përhapin dritën e besimit, imanit, për të mbarën e vatanit…

Këtë rrugë e ndoqi me përkushtim edhe Salih Efendiu, por në rrethana krejt të ndryshme, herë më të mira, herë më të vështira…Përjetoj dy luftërat ballkanike dhe dy luftërat botërore, por fenë dhe atdhenë kurrë nuk i la pas dore…

Gjatë shkollimit u dallue si nxënës, ndërsa pas diplomimit u shque si mësimdhënës… Shërbeu edhe si imam në Shkodër, ishte edhe myderriz, në vitin 1927 shërbeu si myfti në Krujë, më vonë shërbeu si kryemyfti i prefekturës së Shkodrës dhe Kosovës…

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria u pushtue nga Italia fashiste, prill, 1939-shtator 1943, dhe nga Gjermania naziste, shtator, 1943-nëntor, 1944, Salih Efendi Myftia jo vetëm që nuk u pajtue me pushtimin e Shqipërisë nga fashizmi dhe nazizmi, por iu kundërvue atyre edhe me armë, derisa u internue në Gjirokastër…Sikur luftoj kundër fashizmit, nazizmit, luftoj edhe kundër komunizmit…

Me 28-29 nëntor 1944, kur Shqipëria u pushtue nga komunizmi, Salih Efendiu nga Shkodra, Shqipëria, u largue jo për të shpëtuar, por luftën kundër komunizmit për ta vazhduar…

E vazhdoj në forma të tjera edhe për 34 vjetë, deri sa ndrroi jetë…E vazhdoj veprimtarinë në katër kontinente, n’Europë, n’Afrikë, n’Azi dhe n’Amerikë…

Në Amerikë u vendos në New York, pranë djalit, Dr. Fuad Myftiu (1924-2007), cili ka doktorue në drejtësi në Firencë, Itali, me 1951.

Me të ardhur në New York , ku gjeti mijëra shqiptarë të emigruar për shkaqe politike dhe ekonomike, iu përvesh punës për organizimin e tyre në dobi të çështjes fetare dhe kombëtare.

Me 16 maj 1966, në Sheraton Atlantic Hotel të New York-ut, nën udhëheqjen e Salih Efendi Myftiut u mbajt mbledhja e Kuvendit të Qendrës Islamike Shqiptare-Amerikane, në të cilën u miratue Kushtetuta Themeltare e Qendrës Islamike Shqiptare prej nëntëmbdhjetë pikash…

Në pikën e parë thuhet: Të themelohet Xhamia e Qendrës Islamike Shqiptare-Amerikane, për shtetet New York dhe New Jersey, e cila ka karakter fetar dhe ka për synim forcimin e moralit, zhvillimin e filozofisë islame ndër besimtarët myslimanë shqiptarë…

Mbas përpjekjeve të vazhdueshme rreth gjashtë vjeçare, edhe pse ishte plakur, kishte mbi 70-të vjeç, nga gëzimi që shqiptarët mysliman po themelojnë një Xhami, Salih Efendiu punonte si të ishte djal i ri…

Me 12 nëntor 1972, Salih Efendi Myftiu me Bismilah e preu shiritin e Xhamisë në Brooklyn të New York-ut, pranë së cilës ishin tubuar qindra besimtarë shqiptarë, që nga orët e hershme të mëngjesit, disa prej tyre të veshur me kostume kombëtare…

Në mesin e masës së tubuar dalloheshin disa personalitete të shquara si Imam Isa Hoxha, Baba Rexhebi i Teqesë Bektashiane nga Detroit-i, Dr. Rexhep Krasniqi, Kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, etj. Aty dalloheshin edhe përfaqësuesit e mediave amerikane: Joseph Pascal nga “Zëri i Amerikës” në Washington , Robert Kessler i gazetës “The New York Times”, reporteri i “Dayli News”, etj….

Kushtrimi për themelimin e kësaj Xhamije madhështore u përhapë si vetëtimë në mbarë botën, nga Amerika në Australi, e dëshmojnë urimet e përgëzimet që vinin në vazhdimësi…Kjo ndezi ndjenjat fetare dhe kombëtare ndër shqiptarët e mërguar, në një kohë kur në Shqipëri këto ndjenja ishin ndaluar…

Salih Efendi Myftiu, në Qendrën Islamike Shqiptare-Amerikane të Brooklyn-it, New York, shërbeu deri sa ndrroi jetë, deri sa shkoj në jetën e vërtetë, me 19 maj 1978, në moshën 87 vjeçare…

Hytbet, predikimet, ligjëratat, muhabetet, këshillat e tij, ishin plotë urtësi, ishin shumë frymëzuese, shumë tërheqëse, rigjallëruese, për mendjet, zemrat dhe shpirtërat e besimtarëve, jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të kombeve të tjera, të cilëve ju fliste shkurtimisht në arabisht…

Salih Efendiu kishte një fjalor të pasur, fliste gjuhën shqipe pastër, një të folme si n’Shkodër, kur fliste dukej si një bylbyl n’kodër…

Ishte i afërt, i dashur, i ambël me të gjithë, por kishte më kënaqësi me bisedue me rini, në veçanti me ne nga Kosova…

E pyeta një herë: Myfti Efendi, pse po ban dallim? U-përgjigj: “ Po , Mexhid i dashtun, po baj pak dallim, sepse ju jeni, si me thanë, jetimë…Kosova ka kenë, asht dhe do të jetë, kala e shqiptarizmit, Kosova do të jetë kala e islamizmit…! Djelmt e mi – pa Kosovë s’ka Shqipni…”

Salih Efendi Myftiu ishte i vogël me trup, por i madh me vepra, i përkushtuar në shërbim për Fe e Atdhe, në Shqipëri, në mërgim…

Ishte i madh në jetë, i madh në vdekje…Kjo u dëshmue, kur për tri ditë me radhë erdhën me ngushllue, rreshta të gjatë, pa mbarim, nga bashkatdhetarët në mërgim, në shtëpinë mortore: “Frank Campbell-Funeral Home” në qendër të New York-ut…

Varrimi ishte madhështor, me lutje e me fjalime, nga përfaqësuesit e të gjitha besimeve, shoqatave, partive, enteve, që s’ishte pa asnjëherë n’ato anë, kjo ishte befasi edhe për qytetarët amerikanë…

Për këtë jam dëshmitar okular…Jam dëshmitar vet…

Salih Efendiun, All-llahu e shpërbleftë me Xhennet…

 

Back

Search site

© 2009 All rights reserved.(Www.Nur-Islam.Net) - Allahu ju shperblefte per vizitat e juaja