Mulla Fadil Rashiti (1975-1998)

08/11/2009 13:55

Mulla Fadil Rashiti ishte hoxhë, i cili ra dëshmor,

E dha jetën për liri, për Kosovë, me pushkë n’dorë…



Nga Mexhid Yvejsi, Gjakovë



Lindi me 25 Janar 1975, në katundin Petrovë në rrethin e Shtimes. Rrjedh prej një familje fshatare, por e edukuar në frymën fetare e atdhetare.

Mësimet fillestare i kreu në vendlindje, me suskes të shkëlqyeshëm. Mësimet e mesme i vazhdoi në Prishtinë, ku qe regjistrue në Medresenë “Alauddin”.

Fadil Rashiti , sikurse në shkollën fillore, ku ishte dalluar, edhe në Medresënë “Alauddin” të Prishtinës, të cilën e kreu në vitin 1994, ishte nxënës i shkëlqyeshëm, me sjellje shembullore…

Në vitin 1994, posa e kreu Medresenë, Mulla Fadil Rashiti në moshën 19 vjeçare filloi zyrtarisht m’i praktikue ato që në shkollë i kishte mësue. E filloi detyrën e Imamit në Xhaminë e katundit, ku kishte lindur, ku ishte rritur, ku edhe katundi, hoxhën e ri, me gëzim e kishte pritur…

Gjatë shërbimit të tij, në katund e në xhami, Mulla Fadili, si një hoxhë i ri, i dashur, punëtor, përparimtar, guximtar, atdhetar, studiues, për fashatarët e tij u bë një shembull frymëzues…

Gjatë shërbimit në fshatin e tij, kohë pas kohe, Mulla Fadili shkonte në Prishtinë, ku ishte regjistrue në Fakultetin e Studimeve Islame dhe i jepte provimet në afatin e duhur…

Mulla Fadili kështu veproj deri në pranverën e vitit 1998, kur kishte absolvue, por në vend se të përgatitej për provimet e afatit të muajit qershor, ai veç ishte përgatitur për provimin e jetës, provimin shpirtërorë…

Mulla Fadil Reshiti e la afatin e qershorit, e la familjen, e la xhaminë, e la katundin, u nda nga të gjitha, por u bashkue me disa shokë e së bashku hynë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Krojmirë të Drenicës…

Pas një kohë qëndrimi në pikën e Krojmirit, bashkë me ushtarë të tjerë, Mulla Fadili kaloi në rrethin e Shtimles, për të formuar një pikë të re, pikërisht në katundin Rancë, që përfshinte Zonën Operative të Nerodimles…

Mulla Fadilit, djaloshit 23 vjeçar, sa i kishte hije uniforma e hoxhës, e fetarit, njashtu i kishte uniforma e ushtarit, e luftëtarit…

Tani hoxha me uniformën e ushtarit, në kohën e lirë, kur ishte më qetësi, iu fliste eprorëve, ushtarëve, iu mbante hytbe, predikime, këshillime të ndryshme, nga aspekti moral-fetar-islamik, të bazuara në burimet kur’anore e profetike, se si duhet luftuar kundër forcave armike…

Hoxha, Mulla Fadil Rashiti me ligjëratat e tij , me këshillat e tij, me predikimet e tij, që kishin frymë hyjnore, iu shtonte moralin luftarak ushtarëve dhe eprorëve…

Përveç fjalëve, predikimeve, këshillave, që kishin shumë rëndësi, siç urdhëron feja, Mulla Fadili muerr pjesë si luftëtar i guximshëm në disa beteja…

Beteja që u zhvilluen në Grykën e Cërnalevës kundër makinerisë serbe, ushtarake-policore, vrastare, me forcat e Ushtrisë Çlirimtare…

Hoxha, Mulla Fadili me shokë, ushtarë të UÇK-së, luftuan e qëndruan nëpër istikame, në muajin shtator, 1998, në kuadër të Brigadës 161 “Ahmet Kaçiku”, duke e mbrojtur pikën e katundit Jezerc, në rrethin e Ferizajit…

Ditën e hënë, me 14 dhjetor 1998, Mulla Fadil Rashiti me ushtarë të UÇK-së, duke u kthye nga Shqipnija, ku kishin shkuar për armatim, ranë në një kurth të armikut, ku u vranë 36 ushtarë, ndër ta edhe hoxha, Mulla Fadili Rashiti….

Hoxha, Mulla Fadil Rashiti nuk pati çka t’i dhurojë tjetër Kosovës, ç’ështjës shqiptare, përpos jetës, në moshën 23 vjeçare…



Mexhid YVEJSI, Gjakovë
 

Back

Search site

© 2009 All rights reserved.(Www.Nur-Islam.Net) - Allahu ju shperblefte per vizitat e juaja