Mrekullitë shkencore të Kur'anit

03/05/2010 13:08

 Foto: Autori i ketij shkrimi : Harun YahyaKatërmbëdhjetë shekuj më parë, Zoti zbriti Kur’anin për njerëzimin si udhëzues. Ai thërriste njerëzit të drejtoheshin drejt të vërtetës duke u mbështetur tek ky libër. Që nga dita e zbritjes së tij e deri në ditën e Gjykimit, ky Libër i fundit Hyjnor dhe Praktika e Profetit tonë, paqja qoftë mbi të, do të mbeten udhëzuesit e njerëzimit.

Stili i pakrahasueshëm i Kur’anit dhe urtësia superiore e tij janë prova të qarta se ai është fjala e Zotit. Për më tepër, Kur’ani ka shumë veçori mrekulluese që provojnë se ai është zbritur nga Zoti. Një nga këto veçori është fakti se një numër të vërtetash shkencore, që ne kemi mundur të zbulojmë me teknologjinë e shekullit të 20-të, janë cituar në Kur’an 1400 vjet më parë.

Sigurisht që Kur’ani nuk është libër shkencor. Megjithatë shumë fakte shkencore, që janë shprehur në një mënyrë shumë të saktë dhe të detajuar në vargjet e tij, janë zbuluar vetëm në ditët tona. Këto fakte nuk kanë mundur të njihen në kohën e zbritjes së Kuranit dhe kjo është një provë tjetër se ai është fjala e Zotit.

Për të kuptuar mrekullinë shkencore të Kur’anit, së pari duhet të shikojmë nivelin e shkencës së kohës kur ky Libër i Shenjtë zbriti.

Në shekullin e 7-të, kur u zbrit Kur’ani, shoqëria arabe kishte shumë bestytni supersticioze dhe të pabazuara. Në mungesë të teknologjisë për të vrojtuar universin dhe natyrën, këta arabë të hershëm besonin në legjenda të trashëguara nga brezat e mëparshëm. Ata supozonin, për shembëll, se malet mbanin qiejt lart. Ata besonin se toka ishte e sheshtë dhe se ajo kishte male të lartë në të dy fundet e saj. Mendohej se këto male ishin shtylla që mbanin lart kupolën e qiellit.

Megjithatë, të gjitha këto bestytni të shoqërisë arabe u eliminuan nga Kur’ani. Në vargun e 2-të të Sures Er-Rrad thuhet: “Allahu është Ai që ngriti qiejt pa ndonjë shtyllë...” (Sure Er-Rrad: 2). Ky varg zbuloi se mendimi që qiejt rrinin lart për shkak të maleve ishte i gabuar. Në shumë tema të tjera, u zbuluan gradualisht fakte të rëndësishme kur askush nuk mund t’i dinte ato. Kur’ani, i cili erdhi në një kohë kur njerëzit dinin shumë pak për astronominë, fizikën apo biologjinë, përmban fakte kyçe mbi një morì temash si krijimi i universit, krijimi i njeriut, struktura e atmosferës dhe ekuilibrat delikatë që e bëjnë të mundur jetën në tokë.

Tani le të shohim së bashku disa nga këto mrekulli shkencore të zbuluara në Kur’an.

 

Ardhja në Ekzistencë e Universit

 

Origjina e universit përshkruhet në Kur’an në vargun e mëposhtëm:

 

Ai është që krijoi qiejt dhe tokën nga asgjëja.

(Sure En’am: 101)

 

Ky informacion i dhënë në Kur’an është në përputhje të plotë me gjetjet e shkencës bashkëkohore. Përfundimi që kanë arritur sot astrofizikantët është se i gjithë universi bashkë me dimensionet e materies dhe kohës, ka nisur së ekzistuari si rezultat i një shpërthimi që ndodhi në kohën zero. Kjo ngjarje e njohur si Big Beng-u provoi se universi është krijuar nga asgjëja si rezultat i shpërthimit të një pike të vetme. Qarqe të shkencës moderne janë të mendimit se Big Beng-u është shpjegim racional dhe i provueshëm i fillimit të universit dhe si universi u krijua.

Përpara Big Beng-ut nuk kishte lëndë. Nga një gjendje joekzistence, ku as lënda, as energjia, madje as koha nuk ekzistonin dhe që mund të përshkruhet vetëm metafizikisht, u krijuan të gjitha bashkë lënda, energjia dhe koha. Ky fakt, i zbuluar kohët e fundit nga fizika moderne, na është njoftuar nga Kur’ani 1400 vjet më parë.

 

Zgjerimi i Universit

 

Në Kur’an, i cili u zbulua 14 shekuj më parë në një kohë kur shkenca e astronomisë ishte ende primitive, zgjerimi i universi përshkruhet kështu:

 

Ne me forcën tonë e ngritëm qiellin dhe vërtetë Ne e zgjerojmë atë.

(Sure Edh-Dharijat: 47)

 

Fjala “qielli”, e përmendur në këtë varg, përdoret në shumë vende në Kur’an me kuptimin e hapsirës dhe universit. Edhe këtu kjo fjalë përdoret me këtë kuptim. Pra, në Kur’an thuhet se universi “zgjerohet”. Dhe ky është i njëjti rezultat që ka arritur shkenca sot.

Deri në fillim të shekullit të 20-të, e vetmja pikëpamje që mbizotëronte në botën e shkencës ishte se “universi kishte një natyrë konstante dhe se ai ka ekzistuar përjetësisht”. Kërkimet, vrojtimet dhe llogaritjet e bëra me mjete të teknologjisë moderne, zbuluan se universi në të vërtetë kishte një fillim dhe se ai zgjerohet në mënyrë konstante.

Në fillim të shek. të 20-të fizikanti rus Aleksandër Fridman dhe kozmologu belg Zhorzh Lemètrë llogaritën teorikisht se universi është në lëvizje konstante dhe se ai po zgjerohet.

Ky fakt u provua dhe nga të dhëna vrojtuese të vitit 1929. Ndërsa vëzhgonte qiellin me një telesokp, Edvin Habëll, astronom amerikan, zbuloi se yjet dhe galaktikat po largoheshin në mënyrë konstante nga njëra-tjetra. Një univers ku çdogjë largohet në mënyrë konstante nga çdogjë tjetër nënkupton një univers që zgjerohet në mënyrë konstante. Vrojtimet e viteve të fundit e verfikuan se universi po zgjerohej në mënyrë konstante. Ky fakt u shpjegua në Kur’an kur askush nuk e dinte. Kjo sepse Kur’ani është fjala e Zotit, Krijuesit dhe Rregulluesit të të gjithë universit

 

Orbitat

 

Një nga arsyet më kryesore të ekuilibrit në univers është fakti se trupat qiellorë ndjekin rrugëkalime specifike. Yjet, planetet dhe satelitët rrotullohen rreth boshteve të tyre dhe gjithashtu rrotullohen bashkë me sistemin në të cilin bëjnë pjesë dhe kështu universi funksionon me një rregull të mirëpërcaktuar.

Ka rreth 200 bilion galaksi në univers të përbëra nga afërsisht 200 bilion yje secila. Shumica e këtyre yjeve kanë planete dhe shumica e këtyre planeteve kan satelitë. Të gjithë këta trupa qiellorë lëvizin në orbita të përcaktuara saktë. Për miliona vjet secili ka “notuar” në orbitën e vet në harmoni dhe rregull të plotë me gjithë të tjerët. Edhe shumë kometa lëvizin në orbitat e përcaktuara për to.

Orbitat në univers nuk i përkasin vetëm disa trupave qiellorë. Sistemi Diellor dhe gjithashtu edhe galaksi të tjera shfaqin lëvizje të konsiderueshme rreth qendrave të tjera. Çdo vit Toka dhe Sistemi Diellor me të, lëvizin rreth 500 km nga pozicioni ku ishin vitin e kaluar. Është llogaritur se edhe devijimi më i vogël nga rrugëkalimet e trupave qiellorë mund të ketë pasoja drastike që mund të sjellin dhe fundin e komplet sistemit. Për shembull, pasojat e devijimit të tokës nga drejtimi i saj me thjesht 3 mm janë përshkruar nga një burim si më poshtë:

Ndërsa rrotullohet rreth diellit, toka ndjek një orbitë të tillë që çdo 18 milje devijon vetëm 2.8 mm nga drejtimi drejt. Orbita e ndjekur nga toka nuk ndryshon kurrë, pasi edhe një devijim prej 3 milimetrash do të shkaktonte shkatërrime katastrofike: n.q.s. devijimi do të ishte 2.5 mm në vend të 2.8 mm, atëherë orbita do të ishte shumë e madhe dhe ne të gjithë do ngrinim. Nëse devijimi do ishte 3.1 mm ne do ishim përcëlluar për vdekje. 53)

Një karakterisikë tjetër e trupave qiellorë është se ato rrotullohen githashtu rreth boshteve të tyre. Kjo mund të jetë një nga nënkuptimet e vargut “Pasha Qiellin që herë pas herë kthehet.” (Sure et-Tarik: 11)

Padyshim që në kohën e zbritjes së Kur’anit, njerëzimi nuk zotëronte teleskopët apo teknologjitë vrojtuese të avancuara të ditëve të sotme për të vëzhguar miliona kilometra hapsirë, as diturinë mbi fizikën moderne apo astronominë. Prandaj, në atë kohë ishte e pamundur të përcaktohej shkencërisht që hapsira është “e mbushur me rrugë dhe orbita” siç thuhet dhe në vargun (Sure edh-Dharijat: 7). Megjithatë, kjo na u deklarua hapur në Kur’an i cili zbriti në atë kohë; sepse Kur’ani është fjala e Zotit.

 

Trajektorja e Diellit

 

Theksohet në Kur’an se Dielli dhe Hëna ndjekin drejtime specifike.

 

Ai është që krijoi natën e ditën, diellin e hënën dhe secili prej tyre noton në një orbitë.

(Sure el-Enbija: 33)

 

Fjala “noton” në vargun e mësipërm shprehet në Arabisht nga fjala sabaha dhe përdoret për të përshkruar lëvizjen e Diellit në hapsirë. Fjala do të thotë që Dielli nuk lëviz në mënyrë të çfardoshme nëpër hapsirë por se ai rrotullohet rreth boshtit të tij dhe ndërkohë ndjek një drejtim. Fakti që Dielli nuk është statik por lëviz në një orbitë të përcaktuar përmendet edhe në një varg tjetër.

 

Edhe dielli udhëton për në kufirin e vet. Ai është përcaktim i Ngadhënjuesit, të Dijshmit.

(Sure Ja Sin: 38)

 

Këto fakte të përcjella në Kur’an janë zbuluar nga vrojtime astronomike në kohën tonë. Sipas llogaritjeve të ekspertëve të astronomisë, Dielli ecën me shpejtësinë e jashtëzakonshme prej 720.000 kilometër në orë në drejtim të përgjithshëm drejt yllit Vega i cili ndodhet afër “Kulmit Diellor” – drejtimi i vetëm i diellit në galaksinë tonë. Me terma të përafërt, kjo do të thotë se Dielli udhëton afërsisht 17.28 milion kilometër në ditë. Bashkë me Diellin edhe të gjithë planetët dhe satelitët brenda sistemit gravitacional të Diellit, gjithashtu bëjnë të njëjtën distancë.

 

Kulmi Mbrojtës

 

Në Kur’an, Zoti na tërheq vëmendjen rreth një veçorie shumë të rëndësishme të qiellit:

 

Qiellin ua kemi bërë kulm të sigurt, por ata zbrapsen prej këtyre argumenteve.

(Sure El-Enbija: 32)

 

Kjo veti e qiellit është vërtetuar nga kërkimet shkencore të kryera në shekullin e 20-të. Atmosfera rrethuese e tokës është mëse e domosdoshme për vazhdimësinë e jetës. Ndërsa shkatërron shumë meteorë të vegjël apo të mëdhenj në afërsi të tokës, ajo gjithashtu parandalon rënien e tyre në tokë dhe kështu dëmtimin e gjallesave.

Përveç kësaj, atmosfera filtron rrezet e dëmshme të dritës që vijnë nga hapsira. Çuditërisht atmosfera lejon vetëm rrezet e dobishme dhe të padëmshme – drita e dukshme, rrezet afër ultravjollcës dhe radiovalët mund të kalojnë. I gjithë ky rrezatim është i nevojshëm për jetën. Rrezet e ndodhura afër zonës së ultravjollcës, të cilat pjesërisht lejohen nga atmosfera, janë shumë të rëndësishme për fotosintezën e bimëve dhe për mbijetesën e të gjithë gjallesave. Shumica e intensitetit të rrezeve ultravjollcë të emetuar nga dielli filtrohet nga shtresa e ozonit të atmosferës dhe vetëm një pjesë e kufizuar – dhe esenciale – e spektrit ultravjollcë arrin Tokën.

Funksioni mbrojtës i atmosferës nuk mbaron këtu. Atmosfera e mbron gjithashtu Tokën edhe nga i ftohti ngrirës i hapsirës, i cili është afërsisht minus 270 gradë Celsius.

Por jo vetëm atmosfera e mbron Tokën nga efektet e dëmshme. Përveç saj, Brezi Van Alen, një shtresë e përftuar nga fusha magnetike e Tokës, gjithashtu shërben si një mbrojtje kundër rrezatimit të dëmshëm që kërcënon planetin tonë. Ky rrezatim, që emetohet në mënyrë konstante nga Dielli dhe yjet e tjerë, është vdekjeprurës për gjallesat. Nëse brezi Van Alen nuk do të ekzistonte, shpërthimet masive të energjisë të quajtura shpërthime diellore të cilat ndodhin shpesh në Diell, do ta shkatërronin të gjithë jetën në Tokë.

Dr. Hjug Ros shprehet kështu mbi rëndësinë e Brezave të Van Alen për jetën tonë.

Në fakt Toka ka dendësinë më të madhe nga të gjithë planetet në Sistemin tonë Doellor. Korja e gjerë prej nikel-hekuri është përgjegjëse e fushës sonë të fuqishme magnetike. Kjo fushë magnetike prodhon mburojen e rrezatimit Van Alen e cila e mbron Tokën nga bombardimet rrezatuese. Nëse kjo mburojë nuk do të ishte e pranishme, nuk do të ishte e mundur jeta në Tokë. I vetmi planet tjetër shkëmbor që ka fushë magnetike është Mërkuri – por fuqia e fushës së tij është 100 herë më e vogël se e Tokës. Edhe Afërdita, planeti jonë i ngjashëm, nuk ka fushë magnetike. Mburoja e rrezatimit të Van Alen është një model unik për Tokën. 54)

Energjia e transmetuar nga vetëm një shpërthim të tillë të parë vitet e fundit u llogarit të ishte ekuivalente me 100 bilion bomba atomike të ngjashme me atë të hedhur në Hiroshimë. Pesëdhjetë e tetë orë pas shpërthimit, u vëzhgua se gjilpërat magnetike të busullave shfaqnin lëvizje të pazakonta dhe 250 kilometra mbi atmosferën e Tokës temperatura u rrit papritur në 2.500 gradë Celsius.

Shkurtimisht, një sistem i përkryer funksionon lart mbi Tokë. Ai rrethon botën tonë dhe e mbron atë ndaj kërcënimeve të jashtme. Shkencëtarët e mësuan këtë vetëm kohët e fundit, ndërsa shekuj më parë Zoti na njoftonte në Kur’an për funksionin mbrojtës të atmosferës së Tokës.

 

Rikthimi i qiellit

 

Vargu i 11-të i Sures Et-Tarik në Kur’an përmend funksionin “kthyes” të qiellit:

 

Pasha qiellin që kohë pas kohe kthehet (me shi). (Sure Et-Tarik: 11)

 

Siç dihet atmosfera rreth Tokës përbëhet nga shumë shtresa. Çdo shtresë ka një detyrë të caktuar në dobi të jetës. Kërkimet kanë zbuluar se këto shtresa kanë si funksion të kthejnë mbrapsht në hapsirë ose në Tokë materiale ose rreze ndaj të cilave janë të ekspozuara. Le të shtjellojmë me disa shembuj këtë funksion “qarkullues” të shtresave që mbështjellin Tokën.

Troposfera, 13 deri 15 kilometra nga Toka, mundëson avujt e ujit të ngrihen nga sipërfaqja e Tokës, të kondensohen dhe të kthehen përsëri në formë shiu.

Shtresa e ozonit, e cila shtrihet në Stratosferë në lartësinë 25 kilometra, pasqyron rrezatimet e dëmshme dhe rrezet ultravjollcë nga hapsira dhe i kthen ato përsëri në hapsirë.

Jonosfera pasqyron radiovalët të shpërndara nga Toka në pjesë të ndryshme të botës, tamam si një satelit pasiv komunikimi dhe në këtë mënyrë mundëson përhapjen në distancë të transmetimeve televizive apo radio.

Shtresa e magnetosferës pengon thërrmijat e dëmshme radioaktive të emetuara nga Dielli dhe yjet e tjera dhe i kthen ato në hapsirë përpara se ato të arrijnë Tokën.

Fakti se kjo veti e shtresave të atmosferës, e vërtetuar vetëm para pak kohësh, që u tregua në Kuran shekuj më parë, provon përsëri se Kur’ani është fjalë e Zotit.

 

Shtresat e Atmosferës

 

Një fakt tjetër i zbuluar në vargjet e Kur’anit rreth universit është se qielli është i përbërë nga shtatë shtresa:

 

Ai është që për juve krijoi gjithçka ka në tokë, pastaj vullnetin e vet ia drejtoi qiellit dhe i përsosi ata shtatë qiej. Ai është i Gjithëdijshmi për çdo gjë.

(Sure Bekare: 29)

 

Pastaj Ai iu kthye qiellit kur ai ishte tym... Dhe i krijoi ata shtatë qiej brenda dy ditëve dhe secilit qiell i caktoi atë që i nevojitej

(Sure Fusilet: 11-12)

 

Fjala “qiejt”, e shfaqur në shumë vargje të Kur’anit, përdoret në referim të qiellit mbi Tokë dhe po ashtu të gjithë universit. Me këtë kuptim të fjalës shihet se qielli i Tokës, ose atmosfera, përbëhet nga shtatë shtresa.

Me të vërtetë, sot dihet se atmosfera e Tokës konsiston në shtresa të ndryshme të shtrira mbi njëra-tjetrën. 55) Përkufizimet e bëra në bazë të kriterit të përbërjes kimike apo temperaturës së ajrit kanë përcaktuar atmosferën e tokës si prej shtatë shtresash. 56) Sipas “Modelit të kufizuar me rrjetë” (Limited Fine Mesh Model: LFMII), që është një model i atmosferës i përdorur për të parashikuar kushtet klimaterike brenda 48 orëve, atmosfera përsëri përbëhet prej shtatë shtresash. Sipas përkufizimeve gjeologjike të kohës së fundit, shtresat e atmosferës janë si më poshtë:

1.                        Troposfera

2.                        Stratosfera

3.                        Mezosfera

4.                        Termosfera

5.                        Ekzosfera

6.                        Jonosfera

7.                        Magnetosfera

Një mrekulli tjetër e kësaj çështjeje përmendet në vargun e 12-të të Sures Fusilet “(Ai) secilit qiell i caktoi atë që i nevojitej”. Me fjalë të tjera, në këtë varg Zoti thotë se Ai i përcaktoi secilit qiell detyrën e tij. Vërtetë, siç e pamë në seksionin e mëparshëm, secila nga këto shtresa ka detyra vitale për njerëzimin dhe të gjitha gjallesat mbi Tokë. Secila shtresë ka një funksion të veçantë, duke filluar që nga formimi i shiut deri tek parandalimi i rrezeve të dëmshme, nga pasqyrimi i radiovalëve deri tek shmangia e efekteve të dëmshme të meteorëve.

Vargjet e mëposhtme na informojnë rreth shfaqjes së të shtatë shtresave në Kur’an.

 

A nuk e keni parë se si Allahu krijoi shtatë qiej (në shtresa)?

(Sure Nuh: 15)

Ai është që krijoi shtatë qiej palë mbi palë...

(Sure el-Mulk: 3)

 

Fjala arabe “tibakan” në këto vargje e përkthyer si “shtresë” d.m.th. “shtresë, mbulesë e duhur apo mbulim për diçka” dhe theksohet se si shtresa më lart përputhet mirë me atë më poshtë. Kjo fjalë këtu përdoret gjithashtu edhe në shumës, duke i dhënë kuptimin “shtresat”. Qielli i përshkruar në varg si i përbërë prej shtresash është padyshim shprehja më e mirë për atmosferën.

Është një mrekulli e madhe që këto fakte, të cilat nuk do të mund të zbuloheshin kurrë pa teknologjinë e shekullit të 20-të, shpaloseshin në mënyrë të shtjellur në Kur’an 1400 vjet më parë.

 

Funksioni i Maleve

 

Kur’ani i kushton vëmendje të veçantë funksionit gjeologjik të maleve.

 

Dhe në tokë kemi krijuar male të ngulura fort që ajo të mos lëvizë nën to...

(Sure El-Enbija: 31)

 

Siç vihet re në këtë varg, pohohet se malet kanë si funksion të parandalojnë tronditjet e Tokës.

Ky fakt nuk dihej nga askush në kohën e zbritjes së Kur’anit. Ai u zbulua vetëm kohët e fundit si rezultat i gjetjeve të gjeologjisë moderne.

Më parë mendohej se malet ishin thjesht ngritje mbi sipërfaqen e tokës.

Shkencëtarët tani kanë kuptuar se malet nuk janë thjesht ngritje, por se ato zgjerohen 10-15 herë të lartësisë së tyre nën tokë, zgjerime këto që quhen rrënjë e malit. Me këto veçori, malet luajnë të njëjtin rol me atë të një gozhde apo shtylle të ngulur në tokë. Për shembull, një majë mali si Mali i Everestit që ngrihet rreth 9 km mbi sipërfaqen e tokës, ka një rrënjë që zgjerohet poshtë për më shumë se 125 km. 57)

Malet dalin si rezultat i lëvizjeve dhe përplasjeve të pllakave masive që formojnë koren e Tokës. Kur dy pllaka ndeshen, më e forta rrëshket poshtë tjetrës dhe ajo që ndodhet sipër përkulet dhe formon malet. Shtresa poshtë vazhdon nën tokë dhe formon një zgjerim të thellë poshtë. Kjo do të thotë, si u sqarua dhe më lart, se malet kanë një pjesë që shkon poshtë po aq të madhe sa pjesa e dukshme mbi Tokë.

Në një tekst shkencor, struktura e maleve përshkruhet si më poshtë:

Aty ku kontinentet janë më të trasha, si edhe në vargmalet, korja zhytet edhe më shumë në mantel. 58)

Profesor Siaveda, një gjeolog detar me famë botërore, dha komentin e mëposhtëm rreth mënyrës se si malet ngjeshen në tokë si rrënjët:

Ndryshimi kryesor mes maleve kontinentalë dhe maleve oqeanikë vjen nga materiali i tyre... Por emëruesi i përbashkët i të dyve është se ata kanë rrënjë që i mbajnë. Në rastin e maleve kontinentalë, është materiali me dendësi disi të ulët nga mali, ai që zgjerohet poshtë nën tokë si rrënjë. Në rastin e maleve oqeanikë, ka gjithashtu një material të lehtë si rrënjë e malit... Funksioni i rrënjëve është të mbajë malin në bazë të ligjit të Arkimedit. 59)

Për më tepër, Frenk Pres, ish-President i Akademisë Kombëtare të Shkencave të Sh.B.A, thotë në librin e tij Toka, i cili përdoret ende si tekst universitar në mbarë botën, se malet ngjajnë me shtyllat dhe ato ngulen në thellësitë e tokës. 60)

Në një varg, ky aspekt i maleve tregohet kështu:

 

A nuk e bëmë Ne tokën të përshtatshme, ndërsa malet shtylla të saj?

(Sure Nebè: 6-7)

 

Në një varg tjetër Zoti ka zbuluar se Ai i ka përforcuar malet. (Sure en-Naziat: 32) Fjala arabe ersaha në këtë varg do të thotë “i ka rrënjosur, i ka fiksuar, ngulitur në tokë”. Në sajë të këtyre veçorive, malet zgjerohen mbi dhe nën tokë në pikat ku takohen shtresat e tokës dhe i mbërthejnë këto shtresa bashkë. Kështu ato stabilizojnë koren e tokës dhe parandalojnë rrëshkitjen e saj mbi shtresën magmatike. Shkurtimisht, mund të krahasojmë malet me gozhdët që bashkojnë copat e drurit.

Sot ne dimë se shtresa e jashtme shkëmbore e tokës është e ndarë në pllaka që notojnë mbi magmë. Duke ditur shpejtësinë e lartë me të cilën rrotullohet toka rreth boshtit të saj, këto pllaka notuese do vinin rrotull po të mos ishte për efektin fiksues të maleve. Në këtë rast nuk do të formohej toka, nuk do të grumbullohej ujë, nuk do të rriteshin bimë dhe nuk do të ndërtoheshin rrugë e ndërtesa; shkurt, jeta në Tokë do ishte e pamundur. Sidoqoftë, me mëshirën e Zotit, malet parandalojnë shumë lëvizjet mbi sipërfaqen e Tokës duke funksionuar tamam si gozhdë.

Ky rol vital i maleve, që u zbulua nga gjeologjia moderne dhe kërkimet sizmike, u zbulua në Kur’an shekuj më parë si një shembull i urtësisë gjithëpërfshirëse në krijimin e Zotit. Në një varg tjetër thuhet përsëri:

 

Është Zoti Ai që vendosi male të rënda që të mos luajë vendi bashkë me ju...

(Sure Lukman: 10)

 

Identifikimi i Shenjave të Gishtërinjve

 

Ndërsa në Kur’an përmendet se është e lehtë për Zotin ta risjellë njeriun pas vdekjes, theksohen në mënyrë të veçantë shenjat e gishtërinjve:

 

Ne jemi të zotët t’ia rikrijojmë si kanë qenë edhe majat e gishtave të tij.

(Sure El-Kijama: 3-4)

 

Theksimi i majave të gishtërinjve ka një kuptim të veçantë. Kjo sepse këto shenja janë unike për çdokush. Çdo person i gjallë apo që ka jetuar në këtë botë ka një bashkësi të vetën të shenjave të gishtave.

Kjo është dhe arsyeja që ato përdoren si provë e fortë identifikimi dhe përdoren për këtë qëllim në mbarë botën.

Por ajo që është e rëndësishme është se kjo veçori e majave të gishtave është zbuluar vetëm në shekullin e 19-të. Më parë njerëzit i konsideronin shenjat e gishtërinjve si vija të zakonshme pa ndonjë rëndësi apo kuptim të veçantë. Megjithatë në Kur’an, Zoti i përmend këto shenja, të cilat në atë kohë nuk tërhoqën vëmendjen e ndokujt, dhe na tërheq vëmendjen mbi rëndësinë e tyre – një rëndësi që u kuptua më në fund në ditët tona.

 


Lëvizja e maleve

 

Në një varg informohemi se malet nuk janë të palëvizshëm siç duken, por janë në në lëvizje të vazhdueshme:

 

E i sheh malet e mendon se ato janë të palëvizshme, ndërsa ato lëvizin si retë.

(Sure En-Neml: 88)

 

Kjo lëvizje e maleve shkaktohet nga lëvizjet e kores së Tokës mbi të cilën ato qëndrojnë. Korja e Tokës ‘lundron’ mbi shtresën e mantelit , e cila është më e dendur. Ishte fillimi i shekullit të 20-të, kur për herë të parë në histori një shkencëtar gjerman i quajtur Alfred Vegener propozoi që kontinentet e Tokës kanë qenë të bashkuar kur u krijua Toka në fillim, por pastaj u copëtuan dhe kështu u ndanë ndërsa largoheshin nga njëri-tjetri në drejtime të ndryshme.

Gjeologët kuptuan se Vegener kishte të drejtë vetëm në vitin 1980, 50 vjet pas vdekjes së tij. Siç pohonte dhe Vegener në një artikull të botuar në 1915, masat tokësore kanë qenë të bashkuara rreth 500 milion vjet më parë dhe kjo masë e madhe e quajtur Pangea ndodhej e lokalizuar në Polin e Jugut. Rreth 180 milion vjet më parë, Pangea u nda në dy pjesë që ecën në drejtime të ndryshme. Një nga këto kontinente gjigande ishte Gonduana, i cili përfshinte Afrikën, Australinë, Antarktikën dhe Indinë. Tjetri ishte Laurazia i cili përfshinte Europën, Amerikën e Veriut dhe Azinë përveç Indisë. Në 150 milionë vjetët e ardhshëm Gonduana dhe Laurazia u ndanë në pjesë më të vogla.

Këto kontinente që u shfaqën pas copëtimit të Pangeas janë duke lëvizur vazhdueshmërisht mbi Tokë me disa centimetra në vit, duke ndryshuar njëkohësisht dhe raportet tokë/det të Tokës.

E zbuluar si rezultat i kërkimeve gjeologjike të kryera në fillimet e shekullit të 20-të, kjo lëvizje e kores së Tokës shpjegohet kështu nga shkencëtarët:

Korja dhe pjesa e sipërme të mantelit me një trashësi prej rreth 100 km, ndahen në segmente të quajtura pllaka. Ka 6 pllaka kryesore dhe disa të tjera të vogla. Sipas teorisë së quajtur tektonika e pllakave, këto pllaka lëvizin në Tokë duke mbartur me vete kontinentet dhe fundet e oqeaneve… Lëvizja kontinentale është matur të jetë 1-5 cm në vit. Kjo lëvizje e pllakave do krijojë një ndryshim të ngadalshëm të gjeografisë së Tokës. Për shembull, çdo vit Oqeani Atlantik bëhet lehtësisht më i gjerë. 61)

Këtu duhet të theksohet një pikë shumë e rëndësishme: Zoti përmend lëvizjen e maleve si një veprim rrjedhës. Sot shkencëtarët e kohës tonë përdorin gjithashtu termin “rrjedhje kontinentale” për këtë lëvizje. 62)

Rrjedha Kontinentale është diçka që nuk mund të vëzhgohej në kohën e zbritjes së Kur’anit dhe në fjalët “E i sheh malet e mendon se ato janë të palëvizshme” Zoti parashikon mënyrën se si njerëzit do ta parashtronin këtë çështje. Pastaj Ai zbulon një të vërtetë tjetër duke thënë se malet lëvizin si retë. Siç shihet, vëmendja përqëndrohet në lëvizjen e shtresës mbi të cilën qëndrojnë malet,

Padyshim se është një mrekulli e Kur’anit, që ky fakt shkencor i zbuluar kohët e fundit nga shkenca, të tregohej në Kur’an.

 


Mrekullia tek Hekuri

 

Hekuri është një nga elementet e theksuar fort në Kur’an. Në Suren el-Hadid, që d.m.th. Hekur, ne informohemi:

 

…Dhe Ne e kemi zbritur edhe hekurin në të cilin ka forcë të madhe dhe dobi për njerëzit…

(Sure el-Hadid: 25)

 

Fjala enzelna e përkthyer si “zbritur” dhe e përdorur për hekurin në këtë varg, mund të mendohet se ka kuptim metaforik për të shpjeguar se hekuri është sjellë për të mirën e njerëzve. Por, nëse marrim në konsideratë kuptimin konkret të fjalës, që është “i zbritur fizikisht nga qielli”, si në rastin e shiut apo të rrezeve të Diellit, kuptojmë se ky varg sjell një mrekulli shkencore shumë të rëndësishme. Kjo sepse gjetjet moderne astronomike kanë nxjerrë në pah se hekuri i ndodhur në botën tonë ka ardhur nga yjet gjigandë nga hapsira e jashtme. 63)

Jo vetëm hekuri në tokë por edhe hekuri në të gjithë Sistemin Diellor vjen nga hapsira e jashtme, meqënëse temperatura në diell është e papërshtatshme për formimin e elementit hekur. Dielli ka në sipërfaqe një temperaturë prej 6000 gradë Celsius dhe në kore afërsisht 20 milion gradë. Hekuri mund të prodhohet vetëm në yje shumë më të mëdhenj se Dielli, ku temperatura arrin disa qindra milion gradë. Kur sasia e hekurit tejkalon një masë të caktuar tek një yll, ai nuk mund ta mbajë më dhe përfundimisht shpërthen në atë që quhet “nova” ose “supernova”. Këto shpërthime bëjnë që hekuri të shpërndahet në hapsirë. 64)

Një burim shkencor na jep informacionin e mëposhtëm mbi këtë temë:

Ka gjithashtu prova për ngjarje më të vjetra supernovash: Nivelet e përforcuara të hekurit-60 në sedimentet e thellësive të detit janë interpretuar si tregues se një shpërthim supernova ka ndodhur brenda 90 vite-dritë të diellit rreth 5 milion vjet më parë. Hekuri-60 është një izotop radioaktiv i hekurit i formuar në shpërthime supernova, i cili zbërthehet me një periudhë gjysëm-zbërthimi prej 1,5 milion vjetësh. Një prani e madhe e këtij izotopi në një shtresë gjeologjike tregon sintezën e re bërthamore të elementëve afër në hapsirë dhe transportimin e tyre në tokë (ndoshta si pjesë e thërrmijave të pluhurit) 65)

Gjithë kjo tregon se hekuri nuk u formua në Tokë, por u mbart nga supernovat dhe “zbriti” në të njëjtën mënyrë siç përmendet në vargun e mëparshëm . Është e qartë se ky fakt nuk mund të njihej shkencërisht në shekullin e 7-të, kur u shpall Kur’ani. Megjithatë ky fakt është përmendur në Kur’an, fjala e Zotit I Cili rrethon çdogjë me dijen e Tij të pafund.

Astronomia ka zbuluar gjithashtu se edhe elementët e tjerë janë formuar jashtë Tokës. Në shprehjen “Ne dërguam edhe hekurin”, fjala “edhe” i referohet mjaft mirë këtij fakti. Megjithatë, fakti që vargu përmend në mënyrë të veçantë hekurin është tej mase ngacmuese në dritën e zbulimeve të bëra në fund të shekullit të 20-të. Në librin e tij Fati i Nayrës, Majkëll Denton thekson rëndësinë e hekurit:

Nga të gjithë metalet askush nuk është më i domosdoshëm për jetën se hekuri. Është grumbullimi i hekurit në qendër të një ylli që shkakton një shpërthim supernova dhe shpërndarjen më pas të atomeve jetikë nëpër kozmos. Ishte rënia e atomeve të hekurit për shkak të gravitetit në qendër të Tokës primitive ajo që gjeneroi nxehtësinë që shkaktoi diferencimin kimik fillestar të tokës, çlirimin e atmosferës së hershme dhe së fundmi formimin e hidrosferës. Është hekuri i shkrirë në qendër të tokës, i cili duke vepruar si një dinamo gjigande, gjeneron fushën magnetike të tokës, e cila nga ana tjetër krijon brezat e rrezatimit Van Alen që mbrojën sipërfaqen e tokës nga rrezatimet kozmike penetruese me energji të lartë dhe ruajnë shtresën e ozonit nga shkatërrimi i rrezeve kozmoke…

Pa atomin e hekurit nuk do të kishte jetë të bazuar mbi karbonin në kozmos; as supernova, as ngrohje të tokës primitive, as atmosferë apo hidrosferë. Nuk do të kishte fushë mbrojtëse magnetike, as breza rrezatimi Van Alen, as shtresë ozoni, as metale për të bërë hemoglobinën (në gjakun e njeriut), as metale për të mbajtur nën kontroll reaktivitetin e oksigjenit dhe as metabolizëm oksidues.

Marrëdhënia intriguese dhe e ngushtë ndërmjet jetës dhe hekurit, ndërmjet ngjyrës së kuqe të gjakut dhe shuarjes së ndonjë ylli të largët, jo vetëm tregon përshtatjen e metaleve me biologjinë por gjithashtu biocentrizmin e kozmosit… 66)

Rëndësia e hekurit mund të shihet qartë nga këto fjalë. Fakti se i kushtohet rëndësi e veçantë hekurit në Kur’an thekson rëndësinë e këtij elementi. Përveç kësaj ka një sekret tjetër në Kur’an që tërheq vëmendjen për rëndësinë e hekurit: Vargu i 25-të i Sures el-Hadid, që i referohet hekurit, përfshin dy kode matematikë interesantë:

El-Hadid është Surja e 57-të në Kur’an. Vlera numerike e fjalës “El-Hadid” në Arabisht kur vlerat e tij numerike mblidhen, është gjithashtu 57.

Vlera numerike e fjalës vetëm “Hadid” është 26 dhe 26 është numri atomik i hekurit.

 

Erërat Mbarësuese

 

Në një varg të Kur’anit është përmendur karakteristika “mbarësuese” e erërave dhe formimi i shiut si rezultat i kësaj:

 

Ne i lëshojmë erërat mbarësuese e nga qielli lëshojmë shi dhe atë ju japim ta pini…

(Sure El-Hixhr: 22)

 

Në këtë varg tregohet se faza e parë në formimin e shiut është era. Deri në fillim të shekullit të 20-të, lidhja e vetme e njohur mes erës dhe shiut ishte se era lëvizte retë. Megjithatë, gjetjet meteorologjike të kohëve të fundit kanë treguar rolin “mbarësues” të erës në formimin e shiut.

Ky funksion mbarësues i erës shpjegohet kështu:

Mbi sipërfaqen e detërave dhe oqeaneve, për shkak të veprimit shkumëzues të ujit, formohen flluska të panumërta ajri. Në momentin që këto flluska plasin, në ajër shpërndahen mijëra thërrmija të vogla me diametër sa një të qindtën e milimetrit. Këto thërrmija të njohura si “aerosole” përzihen me pluhurin e sjellë nga toka me anë të erës dhe çohen në shtresat e sipërme të atmosferës. Thërrmijat e mbartura në lartësitë e mëdha nga era vijnë në kontakt me avujt e ujit. Avulli i ujit kondenson rrotull këtyre thërrmijave dhe kthehet në pika uji. Këto pika uji në fillim mblidhen dhe formojnë retë, pastaj bien në Tokë në formë shiu.

Siç shihet, erërat “mbarsin” avujt e ujit të ndodhur në ajër me thërrmijat që ato marrin nga deti dhe ndihmojnë kështu në formimin e reve të shiut.

Nëse erërat nuk do ta kishin këtë veti, nuk do të formoheshin kurrë pikat e ujit lart në atmosferë dhe nuk do të ekzistonte shiu.

Pika më e rëndësishme këtu është se ky rol kyç i erës në formimin e shiut përmendej shekuj më parë në Kur’an në një kohë kur njerëzit dinin shumë pak rreth fenomeneve natyrore…

Një informacion tjetër rreth efektit mbarësues të erërave është roli që ato luajnë në fertilizimin e bimëve. Shumë bimë mbi Tokë sigurojnë mbijetesën e tyre duke shpërndarë polenin me anë të erës. Era merr polenin nga bimët dhe ndihmon në fertilizimin duke mbartur polenin në bimët e tjera të të njëjtit lloj.

Ky efekt i erës tek bimët ishte i panjohur deri para pak kohësh. Megjithatë, kur u kuptua se bimët ndahen në mashkull dhe femër, u kuptua dhe efekti fertilizues i erës. Kur’ani e tregon këtë fakt në vargun: “...Ne kemi lëshuar shi e kemi bërë të mbijnë në të nga të gjitha llojet më të dobishme, në çift.” (Sure Llukman: 10)

 

Proporcioni i shiut

 

Një nga informacionet e dhëna në Kur’an rreth shiut është se ai bie në Tokë në sasinë e duhur. Kjo përmendet në suren ez-Zuhruf si më poshtë:

 

Dhe është Ai që lëshon nga qielli ujë me masë. Ne i japim me të jetë një toke të vdekur. Ja, kështu edhe ju do të ngriheni (nga vdekja)

(Sure Ez-Zuhruf: 11)

 

Kjo sasi e përcaktuar e shiut është zbuluar përsëri nga kërkimet e sotme moderne. Është vlerësuar se në një sekondë avullojnë afërsisht 16 milion ton ujë nga Toka. Kjo sasi shkon në 513 trilion ton në vit. Ky numër është i njëjtë me sasinë e shiut që bie në Tokë në një vit. Kjo do të thotë se uji qarkullon vazhdimisht në një cikël të ekulibruar, në një “masë” të caktuar. Jeta në Tokë varet nga ky cikël i ujit. Sikur njerëzit të përdornin të gjithë teknologjinë e mundshme, nuk do të mundnin të riprodhojnë këtë cikël artificialisht.

Një shmangie sado e vogël e këtij ekuilibri do të sillte shumë shpejt një çrregullim të madh ekologjik që do t’i jepte fund jetës në Tokë. Por kjo nuk ndodh asnjëherë dhe shiu vazhdon të bjerë çdo vit në të njëjtën sasi ashtu siç na u zbulua dhe nga Kur’ani.

Proporcioni i rënies së shiut nuk ka të bëjë thjesht me sasinë e tij, por gjithashtu edhe me shpejtësinë e rënies së pikave të shiut. Shpejtësia e pikave të shiut, pavarësisht nga madhësia e tyre, nuk e kalon një limit të caktuar.

Filip Lenard, një fizikant gjerman fitues i çmimit Nobel, përcaktoi se shpejtësia me të cilën bien pikat e shiut rritet sipas diametrit deri në një madhësi 4,5 mm. Megjithatë, për pika më të mëdha, shpejtësia e rënies nuk rritet më shumë se 8 metër për sekondë. 67) Kjo për shkak të formës së pikave, e cila bën të rritet rezistenca e tyre ndaj ajrit gjë që pengon rritjen e shpejtësisë së tyre.

Siç mund të shihet, në Kur’an tërhiqet vëmendja ndaj një rregullimi delikat të shiut i cili nuk ka mundur të dihet 1400 vjet më parë.

 

Mospërzierja e Deteve me Njëri-tjetrin

 

Një nga vetitë e deteve që është zbuluar vetëm kohët e fundit, është treguar në një varg të Kur’anit si më poshtë:

Ai i lejoi dy detet të puqen. Ndërmjet atyre të dyve është një pengesë që ata të dy nuk e kapërcejnë.

(Sure Err-Rrahman: 19-20)

 

Kjo veti e deteve, që ata takohen por nuk përzihen aspak me njëri-tjetrin, është zbuluar vetëm kohët e fundit nga oqeanografët. Për shkak të forcës fizike të quajtur “tension sipërfaqësor”, ujërat e deteve fqinjë nuk ngatërrohen. Si pasojë e dendësive të ndryshme të ujërave të tyre, tensioni sipërfaqsor pengon përzierjen e tyre, njësoj si të kishte një mur të hollë mes tyre. 68)

Pjesa interesante e kësaj është se, në një kohë kur njerëzit nuk kishin njohuri mbi fizikën, tensionin sipërfaqsor apo oqeanografinë, ky fakt u zbulua nga Kur’ani.

 

Gjinia e Fëmijës

 

Deri fare pak kohë më parë, mendohej se gjinia e fëmijës përcaktohej nga qelizat e nënës. Ose të paktën, besohej se gjinia përcaktohej nga qelizat e nënës dhe babait bashkë. Por ne jemi informuar ndryshe në Kur’an ku citohet se mashkulli apo femra krijohet nga “një pikë farë që hidhet”.

 

Dhe Ai është që krijoi llojet – mashkullin dhe femrën. Nga pika e farës që hidhet. (Sure En-Nexhm: 45-46)

 

A nuk ka qenë ai një pikë ujë që derdhet, e pastaj u bë gjak i trashë që Ai e krijoi dhe e përsosi duke bërë prej tyre dy lloje mashkullin dhe femrën?

(Sure el-Kijame: 37-39)

 

Disiplinat e gjenetikës dhe biologjisë molekulare kanë vlerësuar shkencërisht saktësinë e këtij informacioni të dhënë nga Zoti në Kur’an. Tani është kuptuar se gjinia përcaktohet nga qelizat e mashkullit dhe se femra nuk ka asnjë rol në këtë proces.

Kromozomet janë elementët kryesorë në përcaktimin e gjinisë. Dy nga 46 kromozomet, që përcaktojnë strukturën njerëzore, njihen si kromozomet e gjinisë. Këto dy kromozome quhen “XY” tek meshkujt dhe “XX” tek femrat pasi format e kromozomeve i ngjajnë këtyre shkronjave. Kromozomi “Y” mbart gjenet që kodojnë gjininë mashkullore, ndërsa kromozomi “X” mbart gjenet që kodojnë gjininë femërore.

Formimi i një qënieje të re njerëzore fillon me kombinimin kryq të një prej këtyre kromozomeve, të cilat ekzistojnë në çifte tek femrat dhe meshkujt. Tek femrat të dy përbërësit e qelizës, e cila ndahet në dy gjatë ovulimit, mbartin kromozome X. Qeliza e mashkullit nga ana tjetër, prodhon dy lloj përbërësish, një që përmban kromozome X dhe tjetri kromozome Y. Nëse një kromozom X nga femra bashkohet me një spermë që përmban një kromozom X atëherë fëmija është femër. Nëse bashkohet me një spermë që përmban një kromozom Y, fëmija është mashkull.

Me fjalë të tjera, gjinia e fëmijës përcaktohet nga cili kromozom i mashkullit bashkohet me ovulin e femrës.

Asgjë nga këto njihej deri në zbulimin e gjenetikës në shekullin e 20-të. Në të vërtetë, në shumë kultura besohej se gjinia e fëmijës përcaktohej nga trupi i nënës. Ky është shkaku që gratë fajësoheshin kur lindnin vajza.

Katërmbëdhjetë shekuj përpara se të zbuloheshin gjenet e njeriut, Kur’ani na dha informacione që e hidhnin poshtë këtë supersticion dhe na tregoi se origjina e gjinisë nuk gjendej tek gratë por tek burrat.

 

Embrioni i Ngjitur pas Uterusit

 

Nëse vazhdojmë të shqyrtojmë faktet e përmendura në Kur’an rreth formimit të njeriut, ndeshemi përsëri me disa mrekulli shkencore mjaft të rëndësishme.

Kur qeliza mashkullore bashkohet me vezën e femrës, formohet esenca e fëmijës që pritet të lindë. Kjo qelizë e vetme, e njohur si “zigotë” në biologji, do fillojë menjëherë të riprodhohet duke u ndarë dhe do shndërrohet kështu në “mish” të quajtur embrion. Kjo sigurisht që mund të shikohet nga njerëzit vetëm me ndihmën e mikroskopit.

Megjithatë, embrioni nuk i kalon fazat e tij zhvilluese dukë qëndruar në boshllëk. Ai ngjitet pas uterusit njësoj si rrënjët që futen në tokë. Nëpërmjet kësaj lidhjeje embrioni përfton nga trupi i nënës substancat esenciale për zhvillimin e tij. 69)

Në këtë pikë zbulohet një mrekulli e rëndësishme e Kur’anit. Kur i referohet embrionit që zhvillohet në barkun e nënës, Zoti përdor fjalën “alak” në Kur’an:

 

Lexo: Në emër të Zotit tënd i cili krijoi njeriun prej një gjaku të mpiksur (alak). Lexo: Se Zoti yt është më Bujari. (Sure El-Alak: 2-3)

 

Kupimi i fjalës alak në Arabisht është “diçka që ngjitet në një vend”. Fjala përdoret tamam për të përshkruar shushunjat që ngjiten pas një trupi për të thithur gjak.

Sigurisht, përdorimi i një fjale kaq të goditur për embrionin që zhvillohet në barkun e nënës, provon përsëri që Kur’ani është një zbulesë nga Zoti, Sunduesi i gjithë Botërave.

 

Mbështjellja e Kockave me Muskuj

 

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i informacionit të dhënë në vargjet e Kur’anit janë fazat e zhvillimit të qënies njerëzore në barkun e nënës. Në ato vargje thuhet se kockat zhvillohen të parat dhe pastaj muskujt të cilët mbështillen rreth tyre:

 

Më pas atë pikë ujë e bëmë copë gjaku, e atë gjak të mpiksur e bëmë copë mishi, e atë copë mishi e shndërruam në eshtra, dhe eshtrave ua veshëm mishin, pastaj atë e bëmë krijesë tjetër. I Lartë është Allahu, më i Miri Krijues.

(Sure El-Mu’minun: 14)

 

Embriologjia është ajo degë e shkencës që studion zhvillimin e embrionit. Deri pak kohë më parë embriologët supozonin se kockat dhe muskujt tek embrioni zhvilloheshin njëkohësisht. Por, kërkimet e avancuara mikroskopike të kryera në sajë të zhvillimeve të reja teknologjike, kanë treguar se Kur’ani është fjalë për fjalë i saktë.

Këto vëzhgime në nivel mikroskopik treguan se zhvillimi brenda barkut të nënës ndodh në të njëjtën mënyrë të përshkruar nga vargjet e Kur’anit . Së pari, kockëzohet indi kërcor. Pastaj qelizat muskulare që seleksionohen nga indi rreth kockave bashkohen dhe mbështjellin kockat.

Kjo ngjarje është shpjeguar në një botim shkencor të titulluar Njeriu në Zhvillim me këto fjalë:

Forma e skeletit përcakton pamjen e përgjithshme të embrionit gjatë javës së 7-të; muskujt nuk zhvillohen në të njëjtën kohë por zhvillimi i tyre ndodh menjëherë pas kësaj. Muskujt zënë pozicion rreth kockave në të gjithë trupin dhe veshin kështu kockat. Kështu, muskujt marrin format dhe strukturat e tyre të njohura... Faza e veshjes së muskujve ndodh gjatë javës së 8-të... 70)

Shkurtimisht, fazat e zhvillimit të njeriut të shpjeguara në Kur’an janë në harmoni të plotë me zbulimet e embriologjisë moderne.

 

Tre Zonat e Errëta të Fëmijës në Bark

 

Në Kur’an thuhet se njeriu krijohet nga një proces tre-fazor në barkun e nënës:

 

...Ai ju krijon juve në barqet e nënave tuaja krijim pas krijimi në tre errësira. Ky është Allahu, Zoti juaj, vetëm i Atij është pushteti. Nuk ka Zot tjetër përveç Tij. E si pra, i shmangeni?

(Sure Ez-Zumer: 6)

 

Shprehja fi thulumetin thelethin, e përkthyer si “tre errësira”, tregon tre zona të errëta të përfshira në zhvillimin e embrionit. Këto janë:

a)                       Errësira e abdomenit

b)                       Errësira e mitrës

c)                       Errësira e placentës

Siç e kemi parë, biologjia moderne ka zbuluar se zhvillimi embriologjik i fëmijës ndodh në mënyrës e përshkruar në varg, në tre zona errësirash. Për më tepër, përparimet në shkencën e embriologjisë tregojnë se këto zona përbëhen nga 3 shtresa secila.

Muri i jashtëm abdominal përbëhet gjithashtu prej tre shtresash: muskujt e brendshëm oblikë, të jashtëm oblikë dhe transversë abdominalë. 71)

Njësoj, muri i mitrës përbëhet gjithashtu prej tre shtresash: epimetri, miometri dhe endometri. 72)

Përsëri, placenta që rrethon embrionin përbëhet prej tre shtresash: amnioni (membrana e brendshme rreth fetusit), korioni (shtresa e mesme e amnionit) dhe decidua (shtresa e jashtme e amnionit) 73)

Gjithashtu në këtë varg tregohet se një qënie njerëzore krijohet duke kaluar në tre faza të ndryshme. Në të vërtetë, biologjia moderne ka zbuluar se zhvillimi embriologjik i fëmijës ndodh në tre hapa. Në të gjithë tekstet e embriologjisë e studiuara në fakultetet e mjekësisë, sot kjo temë konsiderohet si një element njohurie bazë. Për shembull, në librin Embriologjia Njerëzore Themelore, tekst referimi bazë në fushën e embiologjisë, ky fakt citohet si në vijim: “Jeta në uterus ka tre faza: para-embrionike; dy javë e gjysma e parë, embrionike; deri në fund të javës së tetë, dhe faza e fetusit; nga java e tetë në lindje.” 74)

Këto hapa i referohen fazave të ndryshme të zhvillimit të fëmijës; Shkurtimisht, karakteristikat kryesore të këtyre fazave janë si më poshtë:

-   Faza Para-embrionike

Në këtë fazë të parë, zigota ndahet dhe kur ajo bëhet një grup qelizash, ajo ngjitet në muret e uterusit. Ndërsa numri i qelizave vazhdon të rritet, ato vetëorganizohen në tre shtresa.

-   Faza Embrionike

 Faza e dytë zgjat për pesë javë e gjysëm gjatë së cilës fëmija quhet “embrion”. Në këtë fazë fillojnë të shfaqen organet dhe sistemet kryesore të trupit nga shtresat qelizore.

-   Faza e Fetusit

Ng kjo fazë e tutje embrioni quhet “fetus”. Kjo fazë fillon në javën e tetë të shtatzënisë dhe zgjat deri në momentin e lindjes. Karakteristika dalluese e kësaj faze është se fetusi ka pamjen e një qënieje njerëzore, me fytyrën, duart dhe këmbët e tij. Edhe pse është vetëm 3 cm i gjatë në fillim, janë bërë të dukshme të gjitha organet e tij. Kjo fazë zgjat për rreth 30 javë dhe zhvillimi vazhdon deri në javën e lindjes.

Të dhënat mbi zhvillimin në barkun e nënës u bënë të ditura vetëm pas vëzhgimeve me mjete moderne. Përsëri, si shumë fakte të tjera shkencore, këto të pjesë të dhënash gjenden në ajetet e Kur’ani në një mënyrë mrekulluese. Fakti, që një informacion kaq i detajuar dhe i saktë ndodhej në Kur’an në një kohë kur njerëzit kishin të dhëna të pakta mbi çështjet mjekësore, është provë e qartë se Kur’ani është fjalë e Zotit.

 

Qumështi i Nënës

 

Ne njeriun e kemi mësuar për prindërit e vet, sepse nëna e vet e barti me mund pas mundi dhe pas dy viteve ia ndau gjirin. Të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve të tu pse vetëm tek Unë është kthimi juaj.

(Sure Llukman: 14)

 

Qumështi i nënës është një përzierje e pakrahasueshme që u krijua nga Zoti si një burim i shkëlqyer ushqimi për fëmijën e porsalindur por edhe si një substancë që rrit rezistencën e tij ndaj sëmundjeve. Ekuilibri i vlerave ushqimore tek qumështi i nënës është në nivele ideale dhe gjithashtu ai është në formën ideale për trupin ende të parritur të fëmijës. Njëkohësisht, qumështi i nënës është shumë i pasur me vlera ushqimore që ndihmojnë në përshpejtimin e rritjes së qelizave të trurit dhe të zhvillimit të sistemit nervor. 75) As ushqimi artificial i prodhuar nga teknologjia e sotme nuk mund ta zëvendësojë këtë burim të mrekullueshëm ushqimi.

Lista e avantazheve të fëmijës nga qumështi i nënës rritet nga dita në ditë. Kërkimet kanë treguar se fëmijët e ushqyer nga qumështi i nënës janë veçanërisht të mbrojtur nga infeksionet e sistemit të frymëmarrjes dhe atij tretës. Kjo sepse antitrupat në qumështin e nënës sigurojnë një mbrojtje direkte ndaj infeksioneve. Veti tjetër anti-infeksionale të tij është se ky ushqim krijon një ambjent të përshtatshëm për bakteret “e mira” të quajtura “florë normale” dhe përbën një barrierë ndaj baktereve, viruseve dhe parazitëve. Për më tepër, është zbuluar se në qumështin e nënës ka faktorë që rregullojnë sistemin imunitar ndaj sëmundjeve infektive dhe e lejojnë atë të funksionojë normalisht. 76)

Meqë qumështi i nënës është modeluar në mënyrë të veçantë, ai është ushqimi më i tretshëm për fëmijët. Duke qenë se është shumë i pasur me vlera ushqimore, ai tretet shumë lehtë nga sistemi i ndjeshëm tretës i fëmijës. Kështu, meqënëse fëmija harxhon më pak energji për tretjen, ai mund ta përdorë atë energji për funksione të tjera trupore si rritja apo zhvillimi i organeve.

Qumështi i nënave që kanë pasur fëmijë të parakohshëm (prematurë) përmban nivele më të larta yndyrnash, proteinash, natriumi, klori dhe hekuri me qëllim që të përmbushë nevojat e fëmijës. Në të vërtetë është parë se nga qumështi i nënës, funksionet e syrit zhvillohen më mirë në fëmijët prematurë dhe gjithashtu ata dalin më mirë në testet e inteligjencës, si edhe kanë avantazhe të tjera.

Një zbulim tjetër i ri shkencor që i përket qumështit të nënës është se ai është shumë i dobishëm për fëmijën, për dy vjet. 77) Ky informacion i rëndësishëm i zbuluar nga shkenca vetëm kohët e fundit u zbulua nga Zoti në vargun “...pas dy viteve ia ndau gjirin...” 1400 vjet më parë.

 

Përfundime

 

Të gjitha këto që pamë deri tani na tregojnë një fakt të qartë: Kur’ani është një libër i tillë që të gjitha të dhënat e përmendura aty kanë dalë të vërteta. Në vargjet e tij tregohen fakte rreth temave shkencore dhe të dhëna për të ardhmen, fakte këto që askush i dinte në atë kohë. Është e pamundur që ky informacion të njihej me nivelin e njohurisë dhe teknologijsë së atëhershme. Është e qartë se kjo është provë e pastër se Kur’ani nuk është fjalë e njeriut. Kur’ani është fjala e Zotit të Gjithëfuqishëm, Filluesi i çdogjëje dhe i të Vetmit që përfshin çdogjë me dijen e Tij. Në një varg Zoti thotë për Kur’anin: “Sikur të ishte prej dikujt tjetër përveç Zotit, do të gjenin në të shumë kundërthënie”. (Sure En-Nisa’: 82) Jo vetëm që nuk ka kundërthënie në Kur’an, por çdo pjesë e informcionit që ai përmban zbulon mrekullinë e këtij Libri Hyjnor përditë e më shumë. Ajo që i mbetet njeriut është të kapet fort pas këtij Libri Hyjnor të zbritur nga Zoti dhe ta pranojë si udhërrëfyesin e tij të vetëm. Në një nga vargjet e Tij, Zoti na urdhëron:

 

Dhe ky është libër, dobiprurës, Ne e zbritëm, kështu që përmbanju atij që të mëshiroheni.

(Sure En’am: 155)

 

 

Burimi:
Kur`ani prin rrugen drejt shkences
Harun Yahya

Back

Search site

© 2009 All rights reserved.(Www.Nur-Islam.Net) - Allahu ju shperblefte per vizitat e juaja