Haxhi Hasan Vuçitërna (1919-1998)

03/07/2009 19:50

Haxhi Hasan Vuçitërna është dëshmori që u vra nga forcat serbe për fe e atdhe, në verën e vitit 1998; ishte djali i dëshmorit Hoxhë Hasan Vuçitërna, i cili u vra nga ushtria serbe në pranverën e vitit 1919…



Lindi me 9 Maj të vitit 1919, në Rahovec, dy muej mbas vrasjes së babait, Hoxhë Hasan Vuçitërna, nga ushtria serbe. E trashëgoi emrin e babait, Hoxhë Hasanit, siç e trashëgoi edhe shehidllëkun, kur ra dëshmor me 21 Korrik 1998, në moshën 79 vjeçare.

U rrit jetim, në fukarallëk, në varfëri, në robni, me shumë vërshtirësi, por arriti disi të shkollohet dhe u përpjekë në vazhdimësi, tërë jetën, për liri…

Pas Luftës së Dytë Botërore, Haxhi Hasan Vuçitërna punoi si nëpunës administrate në Rahovec, ndërsa gjatë viteve 1947-1949 shërbeu si mësues në katundin Gllarevë të Klinës…

Kishte ndjenja të zjarrta fetare dhe atdhetare, nuk pajtohej kurrsesi me robërinë shumë vjeçare. Nuk pajtohej kurrsesi as me ndarjen e Kosovës nga Nana Shqipni…

Në vitin 1950, Haxhi Hasan Vuçitërna, si pjestarë i organizatës politike-ushtarake, NDSH, arrestohet së bashku me atdhetarët: Mulla Oruç Sajari, Halil Dërguti, Behlul Bajrami, Ismail Musliu, Ahmet Fazliu etj. Regjimi i atëhershëm jugosllav, serbo-komunistë-çetnik, e dënoi si armik, me katër vjetë burg…

Burgu nuk e mposhti, as nuk ligështoi, por e forcoi dhe ia shtoi edhe më shumë zjarrin fetar e atdhetar…Për guximin e tij, për qëndrimin, për formimin e tij kishin respekt pleqë e të rinjë…

Në vitin 1972 zgjedhet anëtar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Rahovec, ndërsa, katër vjetë më vonë, duke i parë aftësitë e tij, zgjedhet në krye të tij…

Pra, prej vitit 1976 deri në vitin 1981, Haxhi Hasan Vuçitërna ka shërbye me devotshmëri, si kryetar i ri, i Këshillit të Bashkësisë Islame në Rahovec…

Haxhi Hasani ka qenë dashamir’ i diturisë, i dijetarëve, atdhetarëve, shejhlerëve, hoxhallarëve… E kishte passion leximin, studimin, meditimin…

Në veçanti kishte simpati, dashuri, për shkrimet e Shejh Malës (1865 -1928), bejtexhiut, Melami, më të njohurit bejtexhi në Kosovë e besa edhe në Shqipni…!

Në gjysmën e dytë të muajit korrik, 1998, gjatë sulmeve të forcave policore-ushtarake serbe në Rahovec, kundër luftëtarëve të UÇK-së, duke iu ndihmuar popullatës civile, u vra, nga forcat serbe, Haxhi Hasan Vuçitërna, në moshën 79 vjeçare, siç ishte vra edhe babai i tij, Hoxhë Hasan Vuçitërna, 79 vjetë më parë, në pranverë të vitit 1919, nga ushtria serbe…

U vranë, babë e bir, me krahë të hapur, në kohë robërie, për të përqafuar hapësira lirie…

Haxhi Hasanin, këtë dëshmor të lirisë, për vite të tëra e kam pas mik të dashur të shtëpisë…Kur u vra për liri, një natë m’u shfaqë në ëndërr… dhe e thurra për hirë të tij, këtë poezi…









KOSOVA DO T'JETË VARRI I TYRE

(Dëshmorit Haxhi Hasan Vuçitërna)

(1919-1998)



O Haxhi Cana!

Paqja, shpëtimi

Dhe bekimi i Zotit

Qoftë mbi ty!

Kudo që je

Në të shtrenjtin atdhe!



Ky nuk është

Fundi yt!

Pa dyshim është një

Fillim i ri!

Me te do të kënaqesh,

Në mesin e të zgjedhurve,

Në amshim, në përjetësi...!



O Haxhi Cana!

Prehu i qetë

Atje ku je

Fjalën e vërtetë

Në jetën tokësore

E kumtove drejtë!



Më në fund

Me gjakun tënd dëshmove...

Se kot nuk jetove

I dëshmove mikut e dushmanit

Se ishe bir besnik i vatanit!

Bir i bindur i Islamit...!

Të njoha në xhami

Me zjarrin prush në gji,

Për një zgjim të ri!



Sa hije t'kishe në dorë:

"Dituria Islame", "Selami",

"Hëna e Re", "Drita e jetës",

Që i shpërndajshe me mall,

Me dashuri, me shumë gëzim

Vetëm për t'na sjell dritë

Si dielli me rrezet n'agim...!



Në jetën e përvuajtur,

Kurr nuk ngurrove

Kudo që shkove,

Nëpër Kosovë, Sanxhak

Bosnje e deri n'Arabi,

Gjithnjë dëshmove me pjekuri

Se Allahu është i madh

Se Ai është një...

S'ka tjetër veç Tij...!





O Haxhi Cana!

Mbrëmë të pashë në ëndërr!

Me të vërtetë, ishe vet ti!

Fale jacin dhe vitër

Bëne duan, bëne zikër...!

Kur dhe selam

Desha me të thanë:

Se Hydajeti, Idrizi...

Janë gjallë

Ti më ndërpreve

Duke më thënë:



"Edhe unë jam gjallë!

Por kam tjetër hall...!

Juve mos t'ju ligështoj

Hidhërimi e dëshprimi

Për varrin pa nishan!

Nishani ynë është imani,

Këtë le ta di dushmani..!

Kosova do t'jetë varri i tyre...



Kjo poezi është botuar pjesërisht në revistën “Dituria Islame” Nr.107, Dhjetor, 1998, Faqe:70, Prishtinë, ndërsa është botuar e plotë në librin: “Pakës dritë për Kosovën” shkruar nga miku i përbashkët, z. Faik Miftari, botuar në Prizren, në vitin 2001.



Mexhid YVEJSI, Gjakovë
 

Back

Search site

© 2009 All rights reserved.(Www.Nur-Islam.Net) - Allahu ju shperblefte per vizitat e juaja