Hasan Efendi Nahi (1905-1991)

09/07/2009 15:55

HASAN EFENDI NAHI

(1905-1991)



”Gjakova s’e harron, Gjakova e di,

O nur arsimi, Hasan Efendi…

Do të jetojë Kosovë e vjetër,

Djep i shenjtë i shqiptarisë

Do të jetojë me kurora të lavdisë…

-Rexhep Hoxha





Myderriz Hasan Efendi Nahi ishte njëri prej hoxhallarëve, dijetarëve dhe atdhetarëve më të mëdhenj jo vetëm të Gjakovës, por të mbarë Kosovës. Është djali i Myderrizit, Islam Efendiut Nahi, dijetarit të shquar të Medresesë së Madhe të Gjakovës, që i dha dritë krejt Kosovës.

Lindi më 12 mars 1905, në Gjakovë, ku i kreu mësimet fillestare. Po në Gjakovë diplomoi në Medresën e Madhe, ku pas diplomimit, për tri vjet ligjëroi Sintaksën e Gjuhës Arabe, duke e zëvenduar babain, Myderriz Islam ef.Nahin.

Në muajin shtator 1930, nga Gjakova, me dy shokë, Mulla Tahir Brovinën dhe Mulla Asllan Cërmjanin, Hasan efendi Nahi së bashku me dy shokë u nisën kambë nga Gjakova nëpër Qafë të Morinës deri në Shkodër e nga Shkodra në Durrës, ku arritën pas dy javësh…

Qëllimi i këtij udhëtimi ishte shkollimi. Nga Durrësi dolën në Greqi, Pirea, pastaj në Aleksandri dhe më në fund në Kairo, të Egjiptit, ku u regjistrue në Fakultetin “Kismi Ali” (Shkalla Superiore), ku brenda katër vitesh e kreu me rezultat të shkëlqyeshëm dhe diplomoi në Universitetin Al-Az-har.

Myderriz Hasan Efendi Nahi, mbasi diplomoi në Kairo të Egjiptit u kthye menjëherë në Gjakovë, por shërbeu më shumë nëpër Kosovë, si në Ferizaj, Prizren, Gjakovë dhe më në fund në Prishtinë.

Nga viti 1935 ishte Myderriz në Medresen e Ferizajt, ku mbante ligjërata në gjuhën shqipe, n’atë kohë gjuha shqipe ishte e ndaluar, por predikoi edhe nëpër shumë lokalitete të tjera të Kosovës.

Një kohë ka qenë drejtor i Medresesë “Mehmed Pasha” të Prizrenit, 1943, po në Prizren ka shërbye edhe si kryemyfti i Rrafshit të Dukagjinit. Për dhjetë vjetë shërbeu si imam në Gjakovë…

Njëzet vjet (1958-1978) ishte profesor në Medresen “Alauddin” të Prishtinës, derisa doli në pension me nder!

Në pension nuk pushoi, por punoi në përkthimin e Kur’anit të Shenjtë nga gjuha arabe në gjuhën shqipe, i cili u botua në vitin 1988, në Prishtinë, në tirazh prej 5 000 kopjesh.

Në dokumentet sekrete të Beogradit, të publikuara nga historiani, Dr. Hakif Bajrami, prej të gjithë ylemave të Kosovës, Myderriz Hasan Efendi Nahi i Gjakovës ishte cilësuar si ”ideologu më i rrezikshëm”, ngaqë nuk lejonte kurrsesi që shqiptarët të shpërnguleshin nga Gjakova, nga Kosova…

Kanë mbetur të paharruara fjalët e Myderriz Hasan Efendi Nahit, që ua kishte thënë me guxim të paparë pushtetmbajtësve komunistë, më 1956 , kur e mbyllën Gjimnazin e Gjakovës:

”Ma mirë kallni krejt Gjakovën, se ta mbyllni Gjimnazin…”

Poeti, Rexhep Hoxha, për këtë ngjarje, që ka pasë jehonë të madhe, në një poezi shumë të bukur, e ka përjetësuar hoxhën, Hasan Efendinë, ku, ndër të tjera, shkruen:



Gjakova nuk bën pa gjimnaz

Gjakova për shkollë luftoi

E paturpësia zyrtare,

Një hijenë e mallkuar

Kur pa zemërimin e yjeve,

Guximin e së drejtës së amshuar,

U hap qielli nga një fjalë e prerë,

Shkëlqyen yje, mijëra të tjerë.

Do të jetojë Kosovë e vjetër,

Djep i shenjtë i shqiptarisë

Do të jetojë me kurora të lavdisë…



Veprat e tij në shërbim të fesë, kombit dhe atdheut janë të shumta. Për ato pak është shkruar; mos t’i lëmë për t’u harruar…!

Ndërroi jetë më 5 shkurt 1991 në Prishtinë, në moshën 86 vjeçare. U varros në vendlindje, në Gjakovë, me 6 shkurt 1991, mbasi iu bënë shërbimet fetare në Xhaminë e Hadumit, e cila ishte mbushur përplot, të ardhur nga mbarë Kosova për ta nderuar këtë hoxhë, dijetar dhe atdhetar …



Mexhid YVEJSI, Gjakovë
 

Back

Search site

© 2009 All rights reserved.(Www.Nur-Islam.Net) - Allahu ju shperblefte per vizitat e juaja