Hafiz Selim Yvejsi (1913-2001)

02/08/2009 16:48

Hafiz Selim Yvejsi rrjedh prej një familje të vjetër gjakovare, një familje intelektuale, e cila ndër shekuj, brez pas brezi ishte bartëse e jetës arsimore, edukative, kulturore, fetare dhe atdhetare në Gjakovë, në Kosovë …

Stërgjyshi i tij, Myderriz Yvejs Efendiu, me prejardhje nga Shkodra, prej të cilit vjen mbiemri Yvejsi, ka qenë Myderrizi i parë i Medresës së Madhe të Gjakovës, që ishte drita e Kosovës…

Hafiz Selim Yvejsi është i biri i Mulla Abdurrahimit. Lindi në Gjakovë, më 4 maj 1913. Ishte më i vogli prej katër vëllezërve, që të gjithë hoxhallarë: Myderriz Tahir Efendiu (1898-1984), Mulla Ragibi (1900-1984), Hafiz Hysniu (1910-1954) dhe Hafiz Selimi(1913-2001). Edhe babai i tyre, Mulla Abdurrahimi, ishte vëllau i katër vëllezërve, të gjithë hoxhallarë. Pra , ky duket një rast i rallë, ndoshta i pa parë, në dy brezni - tetë hoxhallarë…! Por, ku do Zoti – çdo gjë bëhet.

Mësimet e para i kreu në mejtepin e “Halil Efendisë”, në Gjakovë. Në moshën 14 vjeçare, me një shok të vetin, Xhafer Bokshi, djali i burrit të njohur në Gjakovë, Ahmed Bokshi, shkuan në Prizren, për të mësuar hivzin tek dijetari i njohur Hafiz Kemal Kajserliu.

Brenda dy vjetësh, dy djemt e ri nga Gjakova, Selim Yvejsi dhe Xhafer Bokshi, e mësuan Kur’anin e Shenjtë përmendësh në Prizren, tek Hafiz Kemal Efendiu…

Kur u kthyen në Gjakovë, ylematë e vjetër organizuen pritjen e dy hafizëve të ri me ceremoni, në Xhaminë e Hadumit…

Hafiz Selim Yvejsi, pasi u kthye nga Prizreni, u regjistrue në Medresenë e Madhe të Gjakovës, ku diplomoi më 1938, pranë myderrizit më të njohur të Gjakovës, Hafiz Fahri Ef. Iljazit

Hafiz Selim Efendi Yvejsi i shërbeu popullit për më se gjysmë shekulli, si imam, predikues e mësues në disa nga xhamitë e Gjakovës, si në Xhaminë e Haxhi Ymerit, të Mahmud Pashës, të Sefës, Mulla Jusufit, të Sofës etj.

Një prej nxënësve të tij, që vlen të përmendet , ka qenë edhe prof. Nexhat Nahi, i biri i Myderrizit, Hasan Efendi Nahi, (1905-1991), përkthyesi i Kur’anit në gjuhën shqipe.

Në dokumentet sekrete të Beogradit, të publikuara nga dr.Hakif Bajrami, ndër hoxhallarët që e penguen shpërnguljen e shqiptarëve nga Gjakova, nga Kosova, përmendet edhe emri i Hafiz Selim Yvejsit, ku ndër të tjera thuhej:

“Mulla Selimi kundërshtoi shpërnguljen…”

Hafiz Selim Yvejsi ishte një hoxhë i ditur, pedant, bashkohor, orator, guximtar, atdhetar, ndër të parët në Gjakovë, në Kosovë, që e filloi, e praktikoi përdorimin e gjuhës shqipe në shërbimet fetare. Ka qenë më i riu prej hoxhallarëve të vjetër, ylemave të moçëm, por erdhi dita kur u plak dhe ishte më i vjetri prej të rinjve…!

Ishte i vetmi prej ylemave të vjetër të Gjakovës që kapërceu në mijëvjeçarin e tretë, duke përjetuar edhe luftën e vitit 1998-1999, por nuk e lëshoi Gjakovën, nuk e lëshoi Kosovën, deri sa mbylli sytë në Gjakovë, moshën 88 vjeçare, me 16 maj 2001.

Do të kujtohet për një kohë të gjatë, prej besimtarëve e qafirëve, si një hoxhë i ditur, i ndritur, arsimdashës, predikues, orator me një fjalor bashkohorë dhe më zë të bukur…

U varros me 17 maj 2001, me nderime të mëdha, ku morën pjesë në përcelljen e fundit shumë qytetarë, shejhlerë e hoxhallarë, jo vetëm të Gjakovës, por nga të gjitha anët e Kosovës…!



Mexhid YVEJSI, Gjakovë
 

Back

Search site

© 2009 All rights reserved.(Www.Nur-Islam.Net) - Allahu ju shperblefte per vizitat e juaja