Emrat e bukur të Allahut - Esmaullahi-l-Husna

30/06/2008 13:39

 

Emrat e bukur të Allahut - Esmaullahi-l-Husna



Allahu xh.sh. në Kur'anin Fisnik thotë:


- "Allahu ka emrat më të bukur (mirë), prandaj Atë thirreni me ta" , (El-A'ëraf, 180


- "Thuaj: "Thërrisni: Allah ose thërrisni Er-Rrahman, me cilindo që ta thërrisni (prej këtyre dy emrave), emrat e Tij janë më të bukurit...", (Isra'


 

KOMENT I SHKURTËR I EMRAVE TË BUKUR E TË NDRITUR TË ALLAHUT XH.SH.




1. ALL-LLAH- Zoti. Është emri më i madh i Krijuesit që dëfton për Qenien Absolute, emër me të cilin përfshihen të gjitha cilësitë dhe atributet e tjera hyjnore. Është emër i përveçëm dhe nuk është i prejardhur, do të thotë nuk rrjedh prej ndonjë fjale tjetër. Si term i tillë përdoret vetëm për të dëshmuar Ekzistencën e Domosdoshme dhe Absolute. Çdo emër tjetër i bukur i Allahut vjen si shtesë me të, kur janë së bashku. p.sh. "Huvallahu ledhi la ilahe il-la huve"- "Ai është Allahu që nuk ka zot tjetër përveç Tij..." (El-Hashr,23) ose "Allahu la ilahe il-la huve rabbul Arshil adhim"-"Allahu është një, nuk ka Zot tjetër përveç Tij, Zot i Arshit të madh", (En-Neml, 26)etj.
Në Kur'an ky emër është përdorur 2690 herë, ndërsa nëse ia shtojmë edhe emërtimin që rrjedh po prej këtij emri "Lil-lah", ose "ilah" ose "lehu" ose "huve", atëherë ai del se është përmendur mbi 2700 herë.
Me këtë emër hyjnor nuk është emërtuar dhe as që mund të emërtohet dikush tjetër. Madje ky është edhe një sfidim hyjnor për mbarë njerëzimin, sepse Allahu xh.sh. thotë : "A di ti për Të (Allahun) emërtues tjetër" ?! (Merjem, 65)
Me fjalën Allah, janë hapur mbi tridhjetë e pesë ajete kuranore të shpërndamë nëpër kaptina të ndryshme të Kur'anit.
Emri Allah, do të thotë se nuk ka të adhuruar tjetër që meriton të adhurohet përveç Tij.
Pa dyshim është emri më i madh dhe më i ndritur i Krijuesit, për të cilin ka dhënë shenjë edhe Pejgamberi ynë, se, po t'i lutet dikush Zotit me emrin e Tij më të madh, njeriut ia jep atë që kërkon.
Duhet ditur se vetëm me emrin Allah plotësohet dëshmia islame e cila është "La ilahe il-la Allah, Muhammedun resulullah".
Me këtë emër të lartë hyjnor, fillojmë çdo punë, dhe me këtë emër hapen të gjitha kaptinat e Kur'anit, do të thotë me
(Bismil-lahi Rrahmani Rrahim).


2. ER-RRAHMAN - i Gjithëmëshirëshmi,
Është Ai që shtrin mëshirën e Tij mbi të gjitha krijesat, pa dallim në mes besimtarëve dhe pabesimtarëve.

3. ER-RRAHIM - Mëshirëploti. Ai i Cili shpërblen besimtarët me mëshirën e Vet, sidomos në botën e ardhshme.

4. EL-MELIK - Sunduesi. Ai i cili sundon këtë gjithësi ashtu siç dëshiron Vetë.

5. EL-KUDDUS - i Pastri , i Shenjti, i Shndritshmi - Allahu është i pastër dhe i zhveshur nga çdo e metë a mangësi që mund t'i mvishet.

6. ES-SELAM - Paqedhënësi - Ai jep paqe dhe qetësi, vetëm tek Ai është shpëtimi.

7. EL-MU'MIN - Siguruesi dhe Mbajtësi i premtimit. Allahu i madhërishëm nuk e thyen premtimin e Vet, do të thotë se në Ditën e Gjykimit, Ai do t'i mbrojë robërit e Vet të sinqertë nga ndëshkimi i zjarrit.

8. EL-MUHEJMIN - Mbizotëruesi, Mbikëqyrësi. Kuptim tjetër i këtij emri hyjnor është edhe se Allahu është Mbrojtës dhe Mbikëqyrës i çdo gjëje që ndodh në këtë ekzistencë.

9. EL-AZIZ - Fuqiploti, Madhështori. Fuqia e Tij mbulon këtë gjithësi; askush nuk është i barabartë me Fuqinë e Tij.

10. EL-XHEBBAR - i Gjithëfuqishmi. Mbizotëruesi ndaj çdo gjëje. Ai me vullnetin e Tij ka nënshtruar çdo krijesë për respektimin e Madhërisë së Tij.


 


 


11. EL-MUTEKEBBIR - i Madhërishmi. Madhështia e Tij nuk mund të krahasohet me të për
ceptuarit e mendjes njerëzore.

12. EL-HALIK - Krijuesi, i Cili ka krijuar tërë këtë ekzistencë, që e shohim dhe nuk e shohim. Krijues i vetëm dhe i Pashoq.

13. EL-BARIU - Filluesi, i Cili krijoi krijesat pa ndonjë model paraprak, dhe Vullneti i Tij është zbatuar dhe zbatohet nëpërmjet urdhrit hyjnor: "Bëhu"!

14. EL-MUSAVVIR - Formëdhënësi. Ai i Cili u dha formë të gjitha krijesave, e ndër këto krijesa e dalloi njeriun, të cilin e krijoi në formën më të bukur.

15. EL-GAFFAR - Gjithëfalësi. Ai i Cili fal robërit e Tij, sa herë që ata i drejtohen për falje. Emri Gaffar ka edhe domethënien se Allahu i mbulon të këqijat e njerëzve-robërve të Tij, dhe i fal ato në Ahiret.

16. EL-KAHHAR - Mposhtësi, i Cili mposht çdo kriminel dhe e shkatërron si në këtë jetë, ashtu edhe në Ahiret.

17. EL-VEHHAB - Dhuruesi. Ai i Cili krijesave të Tij u dhuron mirëqenie dhe mirësi të panumërta


18.AR-RREZAK - Furnizuesi. Ai i Cili furnizon çdo krijesë me nevojat jetësore, pa marrë parasysh nëse është besimtar apo pabesimtar.

19. EL-FETTAH - Zgjidhjedhënësi. Është Ai i Cili hap depot e mëshirës së Tij për robërit e sinqertë, por edhe Që gjykon me drejtësi në çdo çështje.

20. EL-'ALIM - i Gjithëdituri. Dijes së Tij nuk mund t'i shmanget asnjë veprim në këtë gjithësi. Ai di çdo gjë, të fshehtat tona dhe veprimet e hapura. Dija e Tij përfshin tërë këtë ekzistencë.



21. EL-KABID - Shtrënguesi. Në Kur'an ka ardhur me disa kuptime. Ndër të tjera, marrja e shpirtrave. Pastaj vjen në kuptim të ndaljes së mëshirës së Tij në Ditën e Gjykimit për pabesimtarët, etj.

22. EL-BASIT - Dhënësi. Ai që shtrin mëshirën dhe rrëskun-furnizimin për robërit e devotshëm.

23. EL-HAFIDU - Përulësi. Ai që përul dhe nënçmon çdo mendjemadh e tiran.

24. ER-RAFIU - Lartësuesi. Është Ai që ngre dhe lartëson të dashurit e Tij.

25. EL-MUIZZU - Ngritësi. Ai që përkrah dhe fuqizon robërit e Tij të devotshëm, të cilët synim e kanë përfitimin e dashurisë dhe të mëshirës së Tij, dhe atë që Allahu e ngre dhe fuqizon, s'ka forcë që mund t'i thyejë shpirtin dhe moralin e tij.

26. EL-MUDHIL-L - Nënshtruesi. Është Ai që nënshtron dhe poshtëron pabesimtarët për shkak të kufrit-mosbesimit të tyre

27. ES-SEMI'U - Dëgjuesi, që dëgjon çdo gjë, madje edhe pëshpëritjen më të vogël. Atij nuk mund t'i shmanget asnjë zë e të mos e dëgjojë. Ai dëgjon lutjen e nevojtarit, dhe të atij që i është bërë e padrejtë, dhe atë lutje nuk e kthen prapa pa e pranuar.

28. EL-BESIR - Vështruesi. Ai që sheh çdo gjë, dhe që mbikëqyr çdo gjë në këtë ekzistencë. Atë nuk e merr as gjumi e as kotja. Në Dorën (kujdesin) dhe vigjëlimin e Tij është tërë ekzistenca.

29. EL-HAKEM - Gjykuesi. Është gjykuesi më i drejtë që nuk i bën askujt të padrejtë në gjykimin e Tij.

30. EL-'ADL - i Drejti. Ai nuk ndikohet nga ndjenjat dhe emocionet që dikujt t'i bëjë padrejtësi. Drejtësia e Tij është absolute.

31. EL-LETIF - i Buti. Bëmirës ndaj robërve të Tij.

 


32. EL-HABIR - i Gjithinformuari, i Cili është i njohur dhe i dijshëm për çdo gjë që ka ndodhur dhe do të ndodhë. Është Ai i Cili i di të fshehtat dhe të hapurat, dhe është i informuar për çdo imtësi në këtë gjithësi.

33. EL-HALIM - Përdëllimtari. Ai që nuk ngutet për hakmarrje, është i dhimbshëm për robërit e Vet.

34. EL-ADHIM - Madhështori, Madhështia e të Cilit nuk mund të perceptohet kurrsesi nëpërmjet shqisave njerëzore. Askush nuk është i ngjashëm dhe i barabartë me madhështinë e Tij.

35. EL-GAFUR - Falësi. Ai që fal robërit e Tij dhe pranon pendimin e tyre.

36. ESH-SHEKUR - Mirënjohësi. Ai i Cili i shpërblen pa masë robërit e Vet të devotshëm me shpërblime, për hir të veprave të tyre të kryera në emër të Tij. Allahu është mirënjohës ndaj robërve të Tij, ani pse nuk ka nevojë për falënderimin e tyre.

37. EL-ALIJJ - i Larti. Allahu është i përsosur në madhështinë e Tij. I lartësuar me cilësitë e përhershme hyjnore që tregojnë mbizotërimin dhe madhështinë ndaj krijesave.

38. EL-KEBIR - i Madhi. Allahu është i përsosur në cilësitë e Tij. Kjo madhështi nënkupton se ai nuk ka nevojë për asnjë nga krijesat e Tij, por krijesat janë ato që i drejtohen Atij për çdo nevojë a kërkesë. Madhështia e Tij është e zhveshur nga çdo shëmbëllim me krijesat.

39. EL-HAFIDH - Ruajtësi. Allahu është Ai që ruan këtë gjithësi nga çrregullimet. Ruan të gjitha shënimet në dijen e Tij, e cila nuk mund të pësojë kurrë ndryshim e as shkatërrim. Dija e tij përfshin çdo gjë në këtë ekzistencë, sepse Ai ruan qiejt dhe Tokën të mos shkatërrohen deri në momentin që Ai e ka përcaktuar.

40. EL-MUKIT - Ushqyesi. Allahu është krijuesi i ushqimit, qoftë fizik, qoftë shpirtëror. Është Ai Qëi çdo krijese i ka caktuar ushqimin dhe furnizimin, pa dallim



41. EL-HASIB - Llogarimarrësi. Ai i Cili do t'i marrë të gjitha krijesat për llogarinë. Mund të ketë edhe kuptimin se Ai ua plotëson krijesave të Tij të gjitha nevojat, dhe secilës krijesë i mjafton Allahu si Llogarimarrësi më i përsosur.

42. EL-XHELIL - Fisniku. Madhështori dhe i përsosuri në cilësitë e Tij. Dallimi ndërmjet emrit El-Xhelil dhe El-Kebir, është se El-Xhelil do të thotë i përsosur në cilësitë e Tij, kurse El-Kebir - i përsosur në Qenësinë e Tij, ndërsa emri El-Adhim përfshin që të dyja këto kuptime.

43. EL-KERIM - Bujari. Mirësitë e Tij nuk kanë të sosur, fisnikëria e Tij është e pashembullt. Ai, kur përcakton diçka, fal; kur të premton, e mban premtimin; kur të lutet, përgjigjet, jep dhe secilës krijesë i mjafton ajo që Allahu i dhuron nga bujaria e Tij.

44. ER-RREKIB - Vigjëluesi. Allahu është Ai i Cili mbikëqyr çdo proces në këtë ekzistencë. Vigjëlon pa ndërprerë në ligjet e kësaj gjithësie që Ai e krijoi. Në këtë vigjëlim nënkuptohet mbrojtja dhe kujdesi i Tij ndaj krijesave.

45. EL-MUXHIB - Lutjepranuesi. Mëshira e Tij i ka paraprirë hidhërimit të Tij, prandaj Ai i përgjigjet lutjes së atij që e thërret duke iu lutur me përultësi dhe devotshmëri.

46. EL-VASIU - Gjithëpërfshirësi. Dija dhe sundimi i Tij janë gjithëpërfshirës. Ato përshijnë Tokë e qiell dhe ç'ka në mes tyre. Po ashtu gjithëpërfshirëse është edhe mëshira e Tij.

47. EL-HAKIIM - i Urti. I zhveshur nga çdo veprim që nuk përkon me madhështinë dhe përsosmërinë e Tij. Me urtësinë e Tij hyjnore mbikëqyr dhe udhëzon krijesat.

48. EL-VEDUD - i Dashuri. Allahu i do krijesat e Tij, të cilat njohin madhështinë e Tij. Dashuria këtu nënkupton dy gjëra: Njëra prej tyre është se Allahu i do besimtarët dhe është i kënaqur ndaj tyre, kurse tjetra se edhe besimtarët e duan Allahun me zemrat e tyre, dhe kjo dashuri hyjnore i bën zemrat e tyre të mbushen me ekstazën e dashurisë hyjnore, gradë që mund ta arrijnë vetëm më të devotshmit.

49. EL-MEXHID - i Lavdishmi. Lavdia e Tij është e përjetshme. Ai është Fisnik dhe i Ndershëm. Ai nuk i bën askujt të padrejtë.

50. EL-BAITH - Ringjallësi. Në dorën e Tij është ringjallaja e të gjitha krijesave pas vdekjes, për të dhënë pastaj llogarinë për veprat e tyre para Tij, në Ditën e Ringjalljes (Gjykimit).

51. ESH-SHEHID - Dëshmuesi. Të cilit nuk mund t'i shmanget asnjë vepër e krijesave, pa qenë dëshmues dhe dëshmitar, dhe kjo nënkupton se Ai është i Gjithëdijshëm në madhërinë e Tij.


52. EL-HAKK - I Vërteti. Ai i Cili ka krijuar çdo gjë me Urtësinë e Tij të përsosur. Çdo gjë në këtë gjithësi, dëshmon për ekzistencën e Tij të vërtetë e të pamohueshme.

53. EL-VEKIL - Përkujdesësi. Ai i Cili përkujdeset për rrëskun dhe furnizimin e krijesave të Tij. Çdo krijesë mbështetet tek Ai për kujdesje dhe strehim pranë mëshirës së Tij.

54. EL-KAVIJJ - i Forti. Është Ai, për të Cilin nuk ka ndonjë pengesë, që të realizojë Vullnetin dhe përcaktimin e Vet. Është Ai që ka mundësi dhe forcë të plotë për të nënshtruar çdo gjë në këtë ekzistencë.

55. EL-METIN - i Pathyeshmi. Ai që nuk mund të mposhtet. Është i Gjithëfuqishëm i Cili në veprimet e Tij nuk ndien lodhje.

56. EL-VELIJJU - Mbrojtësi, Përkujdesësi, Ngadhënjimtari i Cili i do dhe i bën të ngadhënjejnë të dashurit e Tij ndaj çdo armiku. Atë që Allahu e merr në mbrojtje dhe përkujdesje, ai nuk mund të mposhtet kurrë.

57. EL-HAMID - i Falënderuari. I vetmi i Cili meriton falënderimin dhe lavdërimin nga çdo krijesë.

58. EL-MUHSI - Gjithënjohësi. Gjithpërfshirësi dhe i Gjithëdijshmi, të Cilit nuk mund t'i shpëtojë pa evidencuar asnjë proces, sado i vogël, në këtë gjithësi.

59. EL-MUBDI - Nismëtari. Është Allahu i Cili e krijoi këtë gjithësi nga mosekzitenca.

60. EL-MU'ID - Rikrijuesi. Është Ai Që rikrijon (ringjall) së dyti krijesat pas vdekjes. Me një fjalë, Allahu është Ai i Cili i rikthen krijesat pas jetës në vdekje dhe pas vdekjes në jetë.

61. EL-MUHJI - Jetëdhënësi. Ai i Cili i ringjall të gjitha krijesat dhe u jep jetë, pasi ato të jenë bërë hi e pluhur.

62. EL-MUMIT - Jetëmarrësi. Ai i Cili i vdes të gjitha krijesat, duke i ndarë shpirtrat nga trupat.



63. EL-HAJJ - i Gjalli. Ky është Allahu, i Gjallë në gjallërinë e Tij të përhershme, pa fillim dhe të përjetshme, pa mbarim.

64. EL-KAJJUM - i Përjetshmi. Të Cilit nuk i ka paraprirë mosekzistenca dhe është i përjetshëm e i Gjithmonshëm në sundimin e Tij.

65. EL-VAXHID - Kreatori i këtij Universi. Në dorën e Tij është sundimi, është i Plotfuqishëm për çdo gjë. Ai mbikëqyr çdo proces. Tek Ai nuk humb asnjë shënim.

66. EL-MAXHID - i Nderuari. Ai i Cili është i Ndershëm, Bujar e Fisnik. Ai i Cili shtrin mirësinë dhe bujarinë e Tij kudo.

67. EL-VAHID - i Vetmi. Allahu nuk ka shok në sundim. Ai nuk ka fëmijë, bashkëshorte e as rival në sundim. I Vetmi Sundues Absolut, të Cilit nuk mund t'i mvishet ndonjë mangësi.


68. ES-SAMED - Strehimtari. Është Ai, tek mëshira e të Cilit gjen strehim besimtari i përulur para madhështisë së Tij. Është Ai për të Cilin ka nevojë çdo krijesë, kurse Ai nuk ka nevojë për asnjë prej krijesave. Ai është Zotëria dhe Sunduesi i vetëm i Universit.

69. EL-KADIR - i Fuqishmi. I Vetmi Ngadhënjimtar, Fuqia e të Cilit nuk mund të krahasohet. Me fuqinë e Tij ka krijuar të gjitha krijesat.

70. EL-MUKTEDIR - i Gjithëmundshmi. I Cili realizon tërë atë që ka përcaktuar.

71. EL-MUKADDIM - Nismëtari, Përparësidhënësi. Është Allahu Ai Që sjell çdo send në vendin e vet të duhur. Përshpejton një gjë, kurse vonon një tjetër. I jep përparësi një gjëje ndaj tjetrës. P.sh. ka krijuar së pari Tokën dhe qiellin e pastaj ka përcaktuar rrëskun e krijesave në to. Ka zgjedhur e dalluar disa pejgamberë nga disa të tjerë, do të thotë u ka dhënë përparësi disave ndaj disa të tjerëve.

 


72. EL-MUEHHIR - Paslënësi. Ai i Cili vonon ndonjë dënim ose ndëshkim.

73. EL-EVVELU - i Pari. Atij nuk i ka paraprirë ekzistenca.

74. EL-AHIRU - i Fundit. Ai është i përjetshëm edhe pas shkatërrimit të gjithësisë dhe të krijesave të cilat i shpërndau në të.

75. EDH-DHAHIRU - i Dukshmi, me argumentet dhe Shenjat e Fuqisë së Tij mbi çdo gjë.

76. EL-BATINU - i Padukshmi. Atë nuk mund ta arrijnë shikimet e krijesave.

77. EL-VALI- Udhëheqësi. Ai Që kontrollon dhe mbikëqyr çdo gjë.

78. EL-MUTEALI - i Gjithëlartësuari. Është Ai i Cili është i zhveshur nga çdo përgjasim me krijesat. I Lartësuar është në Madhërinë e Tij. Madhështia e Tij nuk mund të krahasohet me asgjë.

79. EL-BERR - Mirëbërësi. Ai i Cili shtrin mirësinë dhe bereqetin ndaj robërve të Vet.

80. ET-TEVVAB - Pendimpranuesi. Allahu është Ai i Cili pranon pendimin e sinqertë nga robërit e Vet dhe i shlyen gabimet.

81. EL-MUNTEKIM - Ndëshkuesi. I Vetmi Që mund të ndëshkojë krijesat për mëkatet e bëra. I frikësohemi hidhërimit dhe ndëshkimit të Tij, për shkak të ashpërsisë dhe Madhështisë hyjnore të Tij. Ai është tek i Cili nga droja dhe lakmia shpresojmë mëshirën.

82. EL-AFUVVU - Mëkatfalësi. Ai që fshin gabimet dhe mëkatet. Ai që fal robërit e Tij pas pendimit.

83. ER-RREUF - i Dhembshuri. Mëshira dhe dhembshuria e Tij ndaj krijesave është gjithherë e pranishme. Ai kurrë nuk ka dëshirë të ndëshkojë dikë, përveç nëse mohuesit insistojnë në mëkate, atëherë dënimi i Tij nuk vonon.

 


84. MALIKUL-MULK - Pushtetmbajtësi. Ka fuqi dhe kontroll absolute mbi çdo gjë që krijoi. Vullneti i Tij realizohet në tërë atë që krijoi, ashtu siç dëshiron Ai. Nuk ka shmangie nga ajo që ka përcaktuar Ai.

85. DHUL-XHELALI VEL IKRAM - Atij i takon madhështia dhe nderi. I Vetmi absolut, i përsosur në cilësitë e Tij. Vetëm Atij i takon madhështia dhe nderi. Madhështia është në vetë Qenien e Tij. Është fisnik dhe i ndershëm ndaj krijesave të Tij.

86. EL-MUKSIT - Drejtësidhënësi. Është i drejtë në gjykimin e Tij. Ai nuk i bën të padrejtë askujt.

87. EL-XHAMIU - Tubuesi. Është Ai që i tubon të gjitha krijesat për të dhënë llogari para Madhërisë së Tij. Është Ai tek i Cili janë të tubuara dhe gjenden të gjitha cilësitë e përkryera.

88. EL-GANIJ - i Pasuri. Ai i Cili nuk ka nevojë për asgjë në Qenien e Tij, as në cilësitë e Tij e as në veprimet e Tij.

89. EL-MUGNI - Pasuridhënësi. Ai Që i jep mirësi e pasuri atij që do prej krijesave.

90. EL-MANI'U - Privuesi. Është Ai Që ndalon të këqijat dhe sprovimet duke e mbrojtur dhe ruajtur atë që do. Po ashtu është Ai Që privon dikë nga diçka me qëllim të ruajtjes së tij nga sprovat.

91. ED-DARRU - Dëmsjellësi. Me dëmin e Tij godet atë që do prej krijesave nëse ato janë mosmirënjohëse ndaj dhuntive të Tij.

92. EN-NAFI'U - Dobiprurësi. Në kompetenca të Tij është dobia, dhe i sjell të mira e dobi atij që do nga robërit e Vet.

93. EN-NUR - Drita. Allahu është dritë e qiejve dhe e Tokës. Ai i ndriçon zemrat e të sinqertëve me dritën e Tevhidit - Besimit. Me dritën dhe udhëzimin e Tij udhëzohen të udhëzuarit dhe të shpëtuarit.

94. EL-HADI - Udhëzuesi. Ai Që krijoi çdo gjë e pastaj i udhëzoi. Ai që udhëzohet nga udhëzimi i Tij, nuk mund të humbë, ndërsa ai që e humb Ai, nuk mund të gjejë udhëzues tjetër përveç Tij.

95. EL-BEDIU - Shpikësi. Krijuesi i ekzistencës nga mosqenia.

96. EL-BAKI - i Përhershmi. I Gjithmonshmi pa fillim dhe pa mbarim. Çdo gjë në këtë gjithësi do të zhduket e do të mbesë vetëm Allahu, i Përhershmi dhe i vetmi Mposhtës e Ngadhënjimtar.

97. EL-VARITH - Trashëguesi. I Përhershmi pas shkatërrimit të krijesave. Të Tij janë ç'ka në qiej e në Tokë. Zot i çdo gjëje.

98. ER-RESHID - Frymëzuesi. Udhëzuesi, I Urti. Është Ai i Cili frymëzon dhe me urtësi udhëzon krijesat tek ajo që u sjell dobi, e në veçanti robërit e Tij të devotshëm, të cilët udhëzohen me udhëzimin e Tij.

99. ES-SABUR - Durimtari. Është Ai Që nuk shpejton me dënim, por shikon, pret dhe vonon, e megjithatë ndëshkimit të Tij nuk mund t'i shmanget askush që e ka mohuar dritën e Tij dhe udhëzimin hyjnor.

 

Back

Search site

© 2009 All rights reserved.(Www.Nur-Islam.Net) - Allahu ju shperblefte per vizitat e juaja