Dr. Hasan Adem Kaleshi (1922-1976)

14/08/2009 00:51

Dr. Hasan Kaleshi është një nga figurat më të shquara në vargun e dijetarëve shqiptar, shquhet për kontributin e tij në disa lëmi: Gjuhësi, albanologji, letërsi, histori, etnografi etj.…



Hasan Kaleshi lindi me 7 Mars 1922, në katundin Sërbicë, në rrethin e Kërçovës. Rrjedh prej një familje të njohur, besimtare, intelektuale.

Gjyshi i tij, Myderriz Ali Efendiu, studimet e larta i kishte krye në Stamboll dhe ishte shumë i nderuar për diturinë e devotshmërinë e tij. Po ashtu, babai i tij, Myderriz Adem Efendiu, kishte studiuar teologjinë në “Fatih”, institucioni më i lartë, më i njohur i kohës në Stamboll.

Mësimet fillestare i kreu në vendlindje, ku krahas mësimeve, babai i tij, Myderriz Adem Efendiu, në shtëpi, që nga mosha gjashtë vjeçare filloi t’ia mësoi të birit, Hasanit, Kur’anin e madhnueshëm përmendësh. Në moshën dhjetë vjeçare, pra brenda katër viteteve, Hasani i vogël e mori titullin e nderuar Hafiz, meqë e mësoj përmendësh Kur’anin e shenjtë…

Shkollimin e mesëm e vazhdoi në Shkup në Medresenë “Mbreti Aleksandër” dhe në Prishtinë, në Gjimnazin “Sami Frashëri.”

Në vitin 1946 u regjistrue në Universitetin e Beogradit, ku diplomoi me 1951, në Degën e Orientalistikës, por kishte studiuar edhe Romanistikën.

Në vitin 1960, po në Beograd, në Fakultetin Filozofik, e mbrojti disertacionin e doktoraturës me titull: “Najstariji vakuvski dokumenti iz Jugoslavije na arapskom jeziku” (Dokumentet më të vjetra të vakëfeve të Jugosllavisë në gjuhën arabe.)

Gjatë vitit 1965 studioi Turkologjinë në Intstitutin Ural-Altaic të Universitetit të Hamburgut në Gjermani.

Dr. Hasan Kaleshi zotëronte, pothuajse, të gjitha gjuhët kryesore lindore dhe perendimore; përveç gjuhës shqipe, serbe, kroate, boshnjake, bullgare, zotëronte për bukuri turqishten, osmanishten, arabishten, persishten, italishten, frëngjishten, gjermanishten dhe anglishten.

Me këtë përgatitje, ishte ndër studiuesit më të njohur të orientalistikës, gjuhësisë, historisë, kulturës, letërsisë…Ka marrë pjesë me kumtesa, studime, punime, në mbi 40-të simpoziueme, konferenca shkencore, në Evropë, Amerikë, Azi dhe Afrikë….

Ka ligjëruar në Universitete kryesore të botës: në Paris, Hamburg, Berlin, Munih, Vjenë, Stamboll, Romë, Ankara, Kairo, New York, Chicago, Athinë, Sofje, kuptohet edhe në Prishtinë, Tiranë etj.

Për rreth një çerek shekulli botoi rreth 400 punime të ndryshme: kritika, polemika, artikuj, studime, përkthime, në disa gjuhë të huaja, si edhe në gjuhën shqipe…

Veprimtaria studimore e Dr. Hasan Kaleshit përfshin tri kategori kryesore:



1. Trashëgimia kulturore shqiptare – Gjuha dhe literatura shqipe.

2. Trashëgimia kulturore arabo-islamike.

3. Trashëgimia kulturore osmano-turke.



Kontributi i tij kryesor për çështën kombëtare e zënë studimet shkencore që kanë të bëjnë me gjuhësinë dhe historiografinë shqiptare…

Dr. Hasan Kaleshi studimin e tij të parë në gjuhën shqipe e publikoi në vitin 1949. Ai titullohej “Vërejtje rreth gjuhës së përdorur në gazetarinë tonë”.

Në vitin 1952 publikon studimin me titull: “Letërsia bashkëkohore shqipe në Jugosllavi”, me qëllimin për t’ua paraqitur letërsinë shqipe sa më shumë popujve të tjerë në Jugosllavi, të cilët me shumicë mendonin se shqiptarët nuk janë veçse ekmeçi, bozaxhi, sharraxhi....

Vetëm në "Leksikonin për Historinë e Evropës Juglindore", Dr. Hasan Kaleshi botoi 28 studime për personalitetet e shquara të Lëvizjes Kombëtare dhe të Kulturës Shqiptare si për Sami, Naim e Abdyl Frashërin, Dervish Himën e Faik Konicën, për Ismail Qemalin e Fan Nolin, për Haxhi Zekën e Hasan Prishtinën etj .

Të gjitha studimet e dr. Hasan Kaleshit, kanë për themel dokumentet e hulumtuara nëpër arkivat e ndryshme, si Arkivi i Stambollit, Arkivi i Vjenës, Arkivi i Ankarasë…

Dr. Hasan Haleshi është autor i disa punimeve mbi jetën dhe veprimtarinë patriotike, shkencore, kulturore e politike të shumë figurave në zë të historisë sonë kombëtare, si: Sami, Naim e Abdyl Frashërit, Ismail Qemalit, Faik Konicës, Haxhi Zekës, Fan Nolit, Dr. Ibrahim Temos, Dervish Himës, Jahja Bej Dukagjinit, Suzi Prizrenasit, Koçi Beut e Sinan Pashës, Ali Pashë Gucisë, Nexhip Dragës etj.

Në studimin:

"Depërtimi turk në Ballkan dhe islamizimi si faktorë të ekzistences etnike dhe

kombëtare të popullit shqiptarë"

Dr.Hasan Kaleshi me guxim të paparë paraqitet me një tezë të re dhe në kundërshtim me historiografinë shqiptare të kohës e cila me dëpertimin e osmanlinjëve në Ballkan dhe në islamizimin e shqiptarëve gjen vetëm elemente negative. Në këtë studim Dr. Hasan Kaleshi në tezën e vet, ndër të tjera, shkruen,:

"Në kohën kur shqiptarët ishin pa shtet, pa kishat e tyre, pa traditë kulturore, pa shkolla, të rrethuar nga Bizanti në një anë, nga shteti Serb në anën tjetër, nga Venediku në anën bregdetare, me këto rrethana nuk ka pasur fare gjasa të ekzistonte si komb, me depërtimin turk ne Ballkan, me shkatrrimin e Bizantit, shtetit Serb si dhe dezorientimin e kishave të tyre, pengohet asimilimi i shqiptarëve nga elementet e lartë përmendura".

Se çfarë rëndësie kishin punimet e Dr. Hasan Kaleshit shihet më së miri edhe nga interesimi që patën studijuesit e huaj për këto punime, ndër të cilët edhe orientalisti i njohur me famë botërore Dr. Franc Babinger. i cili përmes një shkrese dërguar Dr. Hasan Kaleshit më 5 gusht të vitit 1965, e uron për punimet dhe kontributin e tij.....

Trashëgimia kulturore arabo-islamike



Dr. Hasan Kaleshi, përveç studimeve, është marrë edhe me përkthime. Ka përkthye kryeveprat e letërsisë klasike dhe bashkohore arabe, të cilat lexoheshin me kënaqësi nga shqiptarët në ish-Jugosllavi....

Ka përkthyer në gjuhë të ndryshme të rajonit një mori letrarësh arabë, si: Ibni Rumi, Xhubran Khalil Xhubran, Bulend El-Hajderi, Nizar Kabbani, Sulejman Al-Isa etj.

Ka publikuar studime të veçanta në kuadër të letërsisë arabe, si: “Letërsia bashkëkohore egjiptiane” 1956, “Risitë në poezinë moderne arabe” 1965. Ka përkthyer një seri tregimesh të shkrimtarit të njohur arab Mahmud Tejmur, si dhe ka përgatitur një tekst universitar që trajton Historinë e Letërsisë Arabe, të cilin ia propozoi Rektoratit të Universitetit të Kosovës, por që, për ironi të fatit, ky dorëshkrim nuk u publikua....

Në vitin vitin 1972 botoi librin me titull “Dokumentacion në arabisht i vakëfeve në Republikën Federative Jugosllave”. Ky libër njohu një shpërndarje të gjerë në mjediset e bibliotekave private dhe shkollore, si dhe nëpër xhami dhe institucione të ndryshme fetare...

Pas vdekjes doli fjalori me 50 mijë fjalë e idioma: “Fjalori serbokroatisht-arabisht”, botuar në Sarajevë më 1988, të cilin e përfundoi me sukses në bashkëpunim me studiuesin e njohur Dr. Kamil El-Buhi, një ndër personalitetet më të njohura të fushës së Orientalistikës gjatë viteve ‘50.



Trashëgimia kulturore osmano-turke



Dr. Hasan Haleshi, si orientalist i njohur, ka publikue një seri studimesh nga letërsia klasike dhe bashkohore tuke...

Dr. Hasan Kaleshi, përveç punimeve të shënuara, ka lënë edhe më shumë dorëshkrime të pa publikuara. Ato janë mbi 250 dokumente, dorëshkrimet e dokumentëve kryesisht janë të shkruara me dorë në gjuhën frenge, përveç dokumenteve në fjalë i mbeten të pa botuara edhe mbi 240 dokumente në gjuhën gjermane. Si dhe shumë dokumente tjera të hulumtuara në arkivin e Vienes, Ankarasë dhe Stambollit ku flitej për përsonalitetet e ndryshme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Në vitin 1976, me rastin e 100-të vjetorit të lindjes së Faik Konicës (1876-1976), Federata Pan Shqiptare “Vatra” e Bostonit, organizoi në New York një Simpozium Shkencor rreth Faik Konicës, ku, në pamundësi të vinte për shkaqe shëndetësore, u lexue kumtesa shkencore e dr. Hasan Kaleshit, të cilën e lexoi dr. Eduard Licho. Në këtë simpozium kam marrë pjesë si dëgjues dhe ende më jehojnë në vesh fjalët e Dr. Eduard Lichos, i cili kur e lexoi kumtesën, meqë pati duartrokitje të gjata, u detyrue me thënë: “Këto duartrokitje, sigurisht, nuk janë për atë që kumtesën shkencore e ka lexue, por për atë që e ka shkrue…”

Ai, që e kishte shkrue, ishte dr. Hasan Kaleshi….



Faik Konica

(1876-1942)



Dr. Hasan Kaleshi, në atë kohë, kur Faik Konica mallkohej në Shqipni e në Kosovë,ai për Faik Konicën, ndër të tjera, thoshte:

“Mirëpo le ta themi edhe një mendim ekstrem: edhe sikur kjo pasqyrë të na dilte me disa njolla, madje edhe krejt negative, ashtu sikurse duan ta paraqitin dogmatikët e Shqipërisë dhe mjerisht, nën ndikimin e tyre, edhe disa në Kosovë, prap se prapë nuk do të ishte e drejtë që ta hjekim Konicën nga Lëvizja e jonë kombëtare, nga historia e jonë e kulturës dhe e letërsisë. Sepse, duke e hjekur Konicën nga këto, ne s’bëjmë tjetër veçse varfërojmë kulturën tonë dhe jo aqë të pasur dhe, si pasojë, varfërojmë edhe vetvehten!”

Dr. Hasan Kaleshi ndrroi jetë me 19 Korrik 1976, në moshën 54 vjeçare, duke na lënë vepra, të cilat janë përmendore për çështjen fetare e kombëtare….



Mexhid YVEJSI, Gjakovë
 

Back

Search site

© 2009 All rights reserved.(Www.Nur-Islam.Net) - Allahu ju shperblefte per vizitat e juaja